E Diel, 1 Nëntor 2026

Myslimanët festojnë Fitër Bajramin, mijëra besimtarë falen në bulevard

falet-bajramiTiranë- Besimtarët myslimanë kanë mbajtur ceremoninë e faljes së Bajramit, e cila si çdo vit u bë në bulevardin Dëshmorët e Kombit në sheshin përpara ish- Hotel Dajtit. Bajrami u fal në orën 06:23, duke mbyllur kështu edhe muajin e madhërishëm të Ramazanit.

Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë Haxhi Selim Muça ka uruar besimtarët myslimanë dhe të gjithë shqiptarët për festën e Fitër Bajramit.

Gazeta IDEA po publikon urimin e plotë e Kryetarit të KMSH për Fitër Bajramin.

“Bismilahirr-Rrahmanirr-Rrahim

Tashmë po dalim nga muaji më i dashur dhe miku më i njohur ndër myslimanët Ramazani, muaji i agjërimit, mëshirës, lutjeve; muaji i shpalljes së Kuranit, muaji në të cilin nuk u kursye ndihma dhe mëshira hyjnore.

Nesër është Bajram dhe me këtë rast i uroj të gjithë besimtarët myslimanë shqiptarë kudo qofshin, gëzuar Fitër Bajramin. Paqe, lumturi dhe harmoni sjelltë në familjet tuaja.

Bajrami është festa më e dobishme dhe më e bekuar për myslimanët. Zoti thotë: Për Mua agjëruat në muajin e Ramazanit dhe sipas urdhërit tim falët namazin e bajramit. Kthehuni tani në shtëpitë tuaja të pastruar nga gjynahet e të falur.

muca-uron

Urimet dhe vizitat e Bajramit janë tradita të vyera të popullit tonë, të cilat kanë lënë gjurmë të thella e të pashlyeshme. Profeti Muhamed (a.s.) thotë: Veprimi më i dashur për Allahun pas kryerjes së obligimeve, është kur një mysliman e gëzon vëllain e tij. Nisur nga kjo, le të shërbejnë këto ditë feste për më shumë mirësi, afrimitet dhe dashuri mes njëri-tjetrit, në të mirë të shoqërisë, kombit dhe gjithë njerëzimit.

I uroj edhe njëherë besimtarëve myslimanë dhe gjithë shqiptarëve, ta gëzojnë këtë festë me familjen, farefisin, fqinjët dhe gjithë shoqërinë. Zoti ju dhëntë mirësi e begati dhe ua pranoftë agjërimin e adhurimet që keni kryer gjatë muajit të bekuar të Ramazanit.

Zoti e bekoftë kombin dhe atdheun tonë”,-përfundon mesazhi i Muçës.

Edhe Presidenti i Republikës Bujar Nishani ka uruar besimtarët myslimanë për festën e Bajramit. Ja urimi i plotë i presidentit:

“Të dashur myslimanë shqiptarë kudo ku ndodheni!

Ju uroj nga zemra Gëzuar Bajramin, festën më të madhe dhe më të bukur të myslimanëve, festën Tuaj, festën time, festën e të gjithëve, atë festë gjatë së cilës gëzohen pa dallim, i madh e i vogël, burra e gra, të varfër e të pasur, të gjithë nën shenjën e bashkimit dhe besimit të pafundëm dhe të pakushtëzuar ndaj Zotit.

Gëzuar pra këtë festë të shenjtë, e cila, pas sakrificës sjell shplodhjen, pas hezitimit bindjen, pas dobësisë forcimin, pas vuajtjes Besimin.

Nga një Ramazan në tjetrin Ramazan, pra nga një sakrifikim në tjetrin, nga një Bajram në tjetrin Bajram, pra nga një festë në tjetrën festë, provojmë dhe dëshmojmë efektivisht besimin ndaj Zotit. Dhe Zoti çdo herë na shpërblen. Duke na bërë më të mirë; për veten, për tjetrin, për shoqërinë. Duke na bërë më të fortë fizikisht, më të kthjellët mendërisht, më të gatshëm për sfida të tjera edhe më të vështira, që i ka jeta, i ka ekzistenca.

Jo dëshpërim, jo lëndim, jo brenga.
Vetëm gëzim, lumturi dhe begati, dhe bekimin e Zotit, dashurinë e Zotit, ndihmën e Zotit, paqe, dhe urtësi sjelltë për të gjithë Ju kjo ditë, ky Bajram.

Le të na bëjë ky Bajram ta shohim botën dhe jetën me sytë e të dobtëve dhe të varfërve.
Le ta mposhtim me mjete paqësore, me sakrifica si Ramazani dhe festa si Bajrami, kulturën e urrejtshme të sherrit, këtë rudiment të rrezikshëm trashëguar nga e kaluara diktatoriale.

Nga thellësia e zemrës, ju uroj gjithë të mirat në këtë ditë të madhe.

Le të jetë Dita e Bajramit një ditë e lumtur.

Gëzojeni këtë ditë bashkë me të dashurit Tuaj. Ngushëllohuni bashkërisht. Ndihmohuni bashkërisht. Këshillohuni bashkërisht. Gëzohuni bashkërisht në këtë ditë Bajrami.

Gëzuar!”

Gazeta IDEA uron të gjithë besimtarët myslimanë Gëzuar Fitër Bajramin! Paqja dhe begatia mbizotëroftë në familjet tuaja!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›