Myslym Pashaj largohet edhe zyrtarisht nga AK
Myslym Pashaj është larguar tashmë edhe zyrtarisht nga Aleanca Kuqezi. Vendimin e tij numri dy i kësaj partie, pas Kreshnik Spahiut, e ka bërë të ditur mesditën e sotme.
Pashaj u distancua nga AK pas dështimit të negociatave të kësaj të fundit për koalicionet parazgjedhore dhe pas publikimit të listës për deputet të kësaj partie.
Ai ka thënë në konferencë se është larguar nga AK pas mosmarrëveshjeve me Kreshnik Spahiun.
Nuk kam rënë dakord për çështje parimore me Spahiun. Jap dorëheqjen e parevokueshme nga AK-ja, ka thënë Pashaj.
Ky i fundit ishte figura kryesore e AK-së, pas Kreshnik Spahiut, duke qenë se mbante postin e Sekretarit të Përgjithshëm.
Me largimin e Pashajt, AK merr një goditje të fortë, duke qenë se më parë janë larguar edhe një sërë drejtuesish kryesorë të saj./b.l