INTERVISTA/ Kristaq Traja: Kushtetuta duhet ndryshuar urgjentisht
Juristi i njohur paraqet konturet e një pakete ndryshimesh në ligjin themelor të shtetit, të cilat prekin zgjedhjen e presidentit, organizimin e parlamentit, kompetencat e kryeministrit dhe organet e drejtësisë. Traja deklaron se duhet të ketë një reflektim të shpejtë për nevojën e këtyre ndryshimeve dhe njofton se fondacioni “Soros” po mendon inicimin e një pakete të tillë
Intervistoi: Skender Minxhozi, JAVA
Zoti Traja, prej vitesh diskutohet në ambientin juridik dhe atë politik e mediatik, për ndryshimet e mundshme që mund dhe duhet të pësojë Kushtetuta shqiptare. Së pari, a mendoni se duhet ndryshuar ligji themelor i shtetit në momentin aktual, e nëse po, cilat janë arsyet e këtij ndryshimi?
Nëse mendohet për ndryshime kushtetuese, kjo do të thotë se ndryshime të tilla duhen bërë. Çështja është se kush i mendon. Partitë? Nëse po, kjo duhet marrë me rezervat më të mëdha. Partitë gjithnjë, nga logjika e partisanship-it, zor se mund të kenë si parësore interesa të përgjithshme. Te ne aq më pak. Por kjo vihet re kudo nëpër botë. Nga grupi tek kombi, ka në mes anonimitet. Çfarë është, në thelb, një popull, një komb? Emra e mbiemra të përveçëm, të mbledhur së bashku? Nëse populli, kombi ekziston në vetvete, kjo është e mundur vetëm kur perceptohet si i tillë. Perceptuesi me efekte pushteti është vetëm politika, për shkak të një ligjësie që na vjen nga historia.
Pra, nëse populli mendon (nëse mendon vërtet) se është koha për ndryshime kushtetuese, kjo nuk është gjë tjetër, veçse artikulimi me gjuhën e politikës, apo të segmenteve të shoqërisë civile, i faktit se ndryshimet duhen bërë. Kjo më së shumti është një ndjesi dhe, si e tillë, duhet marrë parasysh. Sieyès-i, konstitucionalisti i shquar frëng i revolucionit, thoshte për vullnetin konstitucional të popullit këto fjalë : il suffit que le peuple le veuille, pra mjafton që populli të dojë dhe vullneti i tij është Kushtetutë.
Ajo kohë e largët kishte romantizëm, por që për ne sot tingëllon si një farsë e neveritshme. Ndryshimet, nëse duhen bërë, diktohen nga partitë sunduese, jo nga populli-koncept demokratik. Më pyetët nëse duhen bërë ndryshime në Kushtetutën tonë. Po, duhen bërë dhe urgjentisht. Arsyet janë, së paku tri: koha ecën dhe rregullat përkatësisht duhet të ndryshojnë sipas mendësisë e kërkesave të saj. Ne jemi një vend, që ndjek sistemin normativ ligjor, pra, një format të tillë juridik të cilin formalisht e vendos dhe e ndryshon Parlamenti. Zhvillimi, pra bëhet në mënyrë diskrete, hap pas hapi, me faza të shkëputura dhe me ndërprerje. Sistemi anglo-sakson e bën ndryshe: gjykatat e larta vigjilojnë procesin social dhe bëjnë rregullimet graduale, pa tronditje të mëdha. Por duhet të kemi gjykata të tilla. Ne si kemi e as kemi ndërmend ti kemi ato.
Arsyeja e dytë është deformimi i sistemit kushtetues nga vullneti (duhet thënë nga mizerabiliteti + budallallëku) i politikës, që tek ne është mesjetare. Shembulli më flagrant i kësaj janë amendimet e bëra më 21 Prill 2008. Në këtë fazë demokratike shqiptarët dhe sidomos politika shtetërore, duhet të futen në skema, të cilat të mos varen prej tyre. Ka ca rregulla që janë vendosur si vlera qytetërimi dhe të cilat nuk mund të preken, nëse duam të rrojmë si njerëz të këtij shekulli.
Arsyeja e tretë është nevoja për tu integruar në sistemin e institucioneve europiane. Këtu ka retorikë marramendëse, por procesi politik shkon gjithnjë e më larg qëllimit. Gjithçka thuhet se bëhet në emër të së mirës, progresit, të ardhmes së lumtur e ku e di unë çprofka të tjera. Është harruar një gjë fare e vogël: njeriu i sotëm, qoftë politikan, shtetar apo qytetar i thjeshtë. Çfarë janë këta? Një nga një nuk kanë të sharë; shohin ëndrra europiane por, kur zgjohen, kanë dhimbje koke. Vetëm disave nuk u dhemb koka. Mbase ngaqë nuk kanë një të tillë. Por kur këta njerëz bëhen bashkë (dhe bashkë bëhen kur janë në partira), nuk i njeh më. Tek ne shikon jo thjesht një servilizëm, por diçka që shkon tepër thellë në subkoshiencën njerëzore: individët përdoren, deri në tjetërsim. Varfëria e ka fajin? E ka. Por kush duhet ta luftojë atë? Ata që e mbajnë pushtetin qoftë nga injoranca, apo më shpesh nga interesi për të qenë në pushtet.
Deri më tani Kushtetuta dhe ligjet në përgjithësi, janë quajtur si forma të rregullimit të sjelljeve njerëzore në shoqëri. Tek ne kjo nuk ka dhënë rezultat. Përkundrazi ligji është bërë mjeti demokratik i imponimit të vullnetit të shumicës (të njëshit në fakt). Tek ne askush nuk e ka seriozisht. As të mëdhenjtë e as të vegjlit, që mësohen të jenë të shkathët, sipas modelit nga lart.
Mësimi i parë që duhet të nxjerrim nga përvoja, është se një Kushtetutë nuk duhet lënë, me çmim sado të lartë, në dorën e partive. Sesi bëhet kjo është histori tjetër, por unë nuk kam vend këtu për tu zgjatur. Mjafton të themi se Kushtetuta duhet të jetë një akt me një dozë të lartë fataliteti për këdo. Pyetja është: më mirë liri politike për tiu përgjigjur nevojave të jetës, apo ngurtësi për të frenuar lirinë, që nga natyra abuzohet. Unë jam për të dytën. E kam parë se çdo të thotë liri nga pushtetarë, të cilët janë të tillë me çmimin e diktaturës së brendshme në formacionet që krijojnë ose uzurpojnë. Tek njeriu kam besim, por jo tek njerëzit. Këta bashkë, kur duan manipulatorët, kthehen në turma dhe kjo është karikatura më e keqe.
Kushtetuta duhet ndryshuar. Ajo, me gjithë parametrat demokratikë, të cilët i plotëson teorikisht më së miri, ka dhënë shenja dobësie. E para dhe më e rrezikshmja, është lënia e ndryshimeve të saj në dorë të partive. Është e vërtetë se populli nuk di shumë kur miraton një Kushtetutë, por ama sensibiliteti i tij, qoftë dhe i papërpunuar, është një garanci shumë më e madhe sesa teoritë politike që na avancojnë të ashtuquajturit liderë. Kur u bë interesi personal, interes i përgjithshëm? Mesa di unë këtë gjë e ka arritur vetëm Krishti. Por te ne, siç po shkojnë punët, kam frikë se as Bibla nuk na rregullon! Megjithatë, Kushtetuta duhet ndryshuar.
Sensi i ndryshimit është i thjeshtë : të shkruhen amendime në drejtim të kundërt me politikën e deritanishme. Këtë mos ia kërkoni politikës, megjithëse nuk di se kujt mund tia kërkoni. Faktorit ndërkombëtar? Po çështë ky? Ambasadorët? Këta njerëz të mirë (nga misioni i tyre) nuk çuditen më me ne, por po mësojnë prej nesh. Nëse ne duam të futemi te klubi europian, unë nuk arrij ta marr me mend gjuhën e tyre të mosndërhyrjes në punët tona të brendshme.
Të gjithë janë të mërzitur. Për shkaqe nga më t