E Diel, 1 Nëntor 2026

NATO nuk zvogëlon praninë në Kosovë, forca shtesë në Afganistan

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Leon Panetta, u ka bërë thirrje aleatëve të NATO-s që të ndihmojnë për të plotësuar mungesën e ekipeve ndihmëse të sigurisë në Afganistan.

Panetta i ka bërë këto komente në takimin e ministrave të Mbrojtjes të NATO-s në Bruksel. Zyrtari amerikan ka kërkuar sigurimin e 58 ekipeve ndihmëse, në mënyrë që forcat afgane të sigurisë të arrijnë kapacitetet dhe të marrin kontrollin e sigurisë në vend në fund të vitit 2014.

Panetta po ashtu ka thënë se janë ndërmarrë veprime efektive për të ndaluar “sulmet e brendshme”.

Të paktën 52 ushtarë të NATO-s janë vrarë nga forcat afgane të sigurisë apo militantë të veshur me uniformë.

Nga ana tjetër NATO-ja nuk do të zvogëlojë numrin e ushtarëve në Kosovë, të cilët shërbejnë në kuadër të misionit paqeruajtës të KFOR-it.

Lajmin e ka bërë të ditur sekretari i përgjithshëm i Aleancës Veriatlantike, Anders Fogh Rasmussen, pas takimit të ministrave të mbrojtjes të NATO-s në Bruksel.

“Në Kosovë, nuk kemi plane të zvogëlojmë praninë e trupave në të ardhmen e afërt. Siç e dini, ne kemi ambicie që gradualisht të reduktojmë forcat tona atje, nëse situata e sigurisë vazhdon të përmirësohet. Por, për shkak të situatës së paqëndrueshme që kemi parë gjatë 12 muajve të fundit, ne kemi shtyrë vendimin për reduktimin e trupave tanë në Kosovë”, ka thënë Rasmussen para gazetarëve.

Rasmussen u është referuar kryesisht incidenteve në veri të Mitrovicës, që kanë pasuar aksionin e Qeverisë së Kosovës, në korrik të vitit 2011, për të futur nën kontroll pikat kufitare 1 dhe 31.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›