Flamurtari, pa eufori në derbi

Flamurtari, që vjen pas fitores së bujshme me Dinamon në transfertë, 5-1, tanimë kërkon vazhdimësinë. Jo vetëm kaq, por ndaj Orikut kërkon të marrë fitoren e radhës për të mbetur në krye të renditjes. Drejtori Sportiv i Flamurtarit, Alfred Ferko, e vlerëson maksimalisht ndeshjen me Orikun.
“Për ne – thotë Ferko – është ndeshje e radhës, që duhet fituar. Kemi një skuadër që është konsoliduar dhe që po vjen gjithnjë në rritje. I marrim gjërat me radhë dhe me qetësi. Pas fitores me Dinamon, tanimë do të duhet të mendojmë të nxjerrim me sukses këtë sfidë me Orikun, edhe pse janë komshinjtë tanë”.
Sipas Ferkos, tek vlonjatët nuk ka vend për eufori. Përkundrazi duhet bërë gjithçka që të merret suksesi edhe ndaj një kundërshtari si Oriku.
“Nuk ka vend aspak për eufori. Oriku e di se kush jemi ne. Luajmë në fushën tonë, Kemi marrë kreun dhe nuk kemi për ta lëshuar deri në fund të kampionatit”.
Flamurtari e kryeson Kategorinë e Parë me 14 pikë dhe suksesi i së dielës do të thotë edhe një hap më shumë drejt elitës së futbollit shqiptar.