NJU JORK – Guterres dhe Scholz rrisin presionin mbi Paktin e OKB-së për të Ardhmen

NJU JORK, 13 shtator /ATSH-DPA/ – Kancelari gjerman Olaf Scholz dhe shefi i OKB-së António Guterres po rrisin presionin përpara miratimit të planifikuar të të ashtuquajturit Pakti për të Ardhmen, i parashikuar si një plan për diplomaci më të drejtë shumëpalëshe në dekadat në vijim.
“Ka ende disa dallime për të kapërcyer në negociatat në vazhdim”, tha Scholz në një video-konferencë me Guterres dhe presidentin namibian, Nangolo Mbumba.
Gjermania dhe Namibia po bashkëlehtësojnë negociatat përpara Samitit të OKB-së për të Ardhmen, i cili do të bashkojë liderët botërorë në Nju Jork duke filluar nga 22 shtatori.
“Siç na ka kujtuar vazhdimisht ky Sekretar i Përgjithshëm, ne qëndrojmë në udhëkryqin midis dështimit dhe përparimit”, tha Scholz.
”Shumica e vendeve”, tha ai, ”duan një rend të ri ndërkombëtar që pasqyron një botë në të cilën ka qendra të shumta pushteti”.
Qeverisja dhe bashkëpunimi global janë fokusi i Paktit për të Ardhmen.
Scholz tha se qindra miliona njerëz, për shembull në Afrikë dhe Amerikën e Jugut, kanë të njëjtën të drejtë për prosperitet dhe pjesëmarrje si qytetarët e Evropës dhe Amerikës së Veriut.
”Për këtë qëllim”, tha ai, ”nevojiten reforma, duke përfshirë Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe arkitekturën financiare ndërkombëtare”.
Pakti do të miratohet nga vendet anëtare në samitin e ardhshëm, i cili do të vijë pak para javës vjetore të debatit të nivelit të lartë të liderëve botërorë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së./ a.jor.