E Diel, 1 Nëntor 2026

NJU JORK – Këshilli i Sigurimit i OKB-së mbështet planin e Trump për Gazën, përfshirë dislokimin e trupave ndërkombëtare

NJU JORK, 18 nëntor /ATSH/- Këshilli i Sigurimit i OKB-së ka votuar në favor të një rezolute të hartuar nga SHBA-ja, e cila mbështet planin 20-pikësh të presidentit të SHBA-së, Donald Trump për Gazën, sipas BBC.

Në plan përfshihet edhe krijimi i një Force Ndërkombëtare Stabilizimi (ISF), në të cilën, sipas SHBA-së, shumë vende të paidentifikuara janë ofruar të kontribuojnë.

Rezoluta u mbështet nga 13 vende – përfshirë Britaninë e Madhe, Francën dhe Somalinë – dhe asnjë nga vendet nuk votoi kundër propozimit. Rusia dhe Kina abstenuan.

“Miratimi i rezolutës është një hap i rëndësishëm në konsolidimin e armëpushimit”, tha një zëdhënës i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres.

Hamasi e ka hedhur poshtë rezolutën, duke thënë se ajo nuk i përmbushte të drejtat dhe kërkesat e palestinezëve.

Grupi i armatosur palestinez shkroi në Telegram pas miratimit të rezolutës se plani impononte një mekanizëm ndërkombëtar kujdestarie në Rripin e Gazës, të cilin populli palestinez dhe fraksionet e tyre e refuzonin.

“Caktimi i forcës ndërkombëtare me detyra dhe role brenda Rripit të Gazës, duke përfshirë çarmatosjen e rezistencës, e zhvesh atë nga neutraliteti i saj dhe e shndërron atë në një palë në konflikt në favor të pushtimit”, sipas deklaratës.

Sipas rezolutës, ISF do të punojë me Izraelin dhe Egjiptin, së bashku me një forcë policore palestineze të trajnuar dhe të verifikuar rishtazi, për të ndihmuar në sigurimin e zonave kufitare dhe për të siguruar procesin e çarmatosjes së përhershme të grupeve të armatosura jo-shtetërore, përfshirë Hamasin.

Deri më tani, policia atje ka vepruar nën autoritetin e Hamasit.

Mike Waltz, ambasadori i SHBA-së në OKB, i tha këshillit se ISF do të ngarkohej me sigurimin e zonës, mbështetjen e demilitarizimit të Gazës, shkatërrimin e infrastrukturës terroriste, heqjen e armëve dhe garantimin e sigurisë së civilëve palestinezë.

Këshilli i Sigurimit miratoi gjithashtu krijimin e një organi qeverisës kalimtar të quajtur Bordi i Paqes (BoP), i cili do të mbikëqyrte qeverisjen e një komiteti teknokratik dhe apolitik palestinez dhe do të mbikëqyrte rindërtimin e Gazës dhe ofrimin e ndihmës humanitare.

“Financimi për rindërtimin e Gazës pas dy viteve luftë do të sigurohet nga një fond besimi i mbështetur nga Banka Botërore”, sipas rezolutës.

Sipas rezolutës, si ISF ashtu edhe BoP do të punojnë së bashku me një komitet palestinez dhe forcë policore.

Trump e quajti votimin e Këshillit të Sigurimit “historik” dhe tha se kjo ishte një mënyrë për të njohur dhe miratuar BoP-në, me anëtarësimin e saj përfundimtar që do të shpallet së shpejti. Ai pritet të kryesojë bordin.

“Kjo do të mbahet mend si një nga miratimet më të mëdha në historinë e Kombeve të Bashkuara, do të çojë në paqe të mëtejshme në të gjithë botën dhe është një moment me përmasa të vërteta historike!”, shkroi ai në platformën e tij “Truth Social”.

Ndryshe nga draftet e mëparshme, rezoluta i referohet një rruge të besueshme drejt vetëvendosjes dhe shtetësisë palestineze. Është një gjuhë që disa anëtarë të këshillit e mbështetën.

Izraeli ka kundërshtuar fuqimisht krijimin e një shteti palestinez – një pengesë e rëndësishme në rrugën drejt shtetësisë së ardhshme. Shtetet kryesore arabe kishin ushtruar presion mbi hartuesit e rezolutës që të përfshinin vetëvendosjen palestineze në dokument.

Zëdhënësi i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së theksoi se rezoluta duhej të përkthehej… në hapa konkretë dhe urgjentisht të nevojshëm në terren dhe të çonte në një proces politik për arritjen e zgjidhjes me dy shtete.

SHBA-ja, Autoriteti Palestinez dhe disa vende arabe dhe me shumicë myslimane, përfshirë Egjiptin, Arabinë Saudite dhe Turqinë, kanë bërë thirrje për miratimin e shpejtë të rezolutës.

Autoriteti Palestinez (AP) tha në një deklaratë se kushtet e rezolutës duhej të zbatoheshin urgjentisht dhe menjëherë.

Rusia dhe Kina nuk i ushtruan vetot që zotërojnë, por abstenuan për të lejuar që rezoluta të miratohej, kryesisht pasi AP dhe tetë vende të tjera arabe dhe myslimane e mbështetën atë. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›