NJU JORK – Meloni: “Izraeli duhet të respektojë ligjin, të mbrojë civilët”

NJU JORK, 25 shtator /ATSH-ANSA/ – Kryeministrja italiane Giorgia Meloni, në fjalimin e saj në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, i bëri thirrje Izraelit që të respektojë ligjin ndërkombëtar dhe të mbrojë civilët, ndërkohë që shprehu dëshirën për një lidership të ri palestinez.
Meloni ripërsëriti mbështetjen e Italisë për Ukrainën dhe deklaroi që komuniteti ndërkombëtar duhet të ngrejë zërin lidhur me situatën në Venezuelë, si dhe bëri thirrje për më shumë përpjekje në luftën kundër trafikut të qenieve njerëzore.
“Afirmojmë të drejtën e Izraelit për t’u mbrojtur nga sulmet e jashtme, si sulmi i tmerrshëm i 7 tetorit të kaluar, por në të njëjtën kohë i kërkojmë Izraelit të respektojë ligjin ndërkombëtar, duke mbrojtur popullsinë civile që është gjithashtu, në një pjesë të madhe, edhe viktimë e Hamasit dhe e zgjedhjeve të tij shkatërrimtare”, Meloni deklaroi në sesionin e 79-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
Në fjalën e saj, Meloni shprehu gjithashtu mbështetjen për popullatën palestineze dhe të drejtën e saj për një shtet, ndërsa theksoi se, që kjo të ndodhë së shpejti, “është e nevojshme që palestinezët t’ia besojnë atë një lidershipi të frymëzuar nga dialogu, stabilizimi i Lindjes së Mesme dhe autonomia”.
Kryeministrja italiane bëri gjithashtu thirrje për armëpushim të menjëhershëm në Gaza dhe për lirimin e pengjeve izraelite.
/u.sh/