NJU JORK – OKB: Sudani i shkatërruar nga lufta përballet me zgjerim të krizës së urisë

KAJRO, 24 dhjetor /ATSH-AFP/- Uria është përhapur në të gjithë Sudanin e shkatërruar nga lufta dhe parashikohet të zgjerohet edhe më tej, tha sot OKB-ja.
Rishikimi i Klasifikimit të Fazës së Sigurisë Ushqimore të Integruar (IPC), në raportin e tij, përcaktoi se uria ishte përhapur në dy kampe të tjera të zhvendosjes në perëndim dhe jug të vendit.
Sudani po përballet me luftimet 20-mujore midis ushtrisë sudaneze dhe Forcave paraushtarake të Mbështetjes së Shpejtë, të udhëhequra nga gjeneralë rivalë, të cilat kanë çuar në një krizë të rëndë humanitare.
Që nga prilli i vitit 2023, lufta ka shkaktuar vdekjen e dhjetëra mijëra njerëzve dhe ka “çrrënjosur” 12 milionë të tjerë, duke krijuar atë që Kombet e Bashkuara e kanë quajtur krizën më të madhe të shpërnguljeve në botë.
Në raportin e saj të fundit, IPC tha se 638 000 njerëz tani po përballen me nivele katastrofike të urisë – ndërsa 8,1 milionë të tjerë janë në prag të urisë.
Midis dhjetorit dhe majit, IPC tha se 24,6 milionë njerëz që përfaqësojnë rreth gjysmën e popullsisë së Sudanit parashikohet të përballen me nivele të larta të pasigurisë akute ushqimore.
Sipas raportit, kjo shënon një thellim dhe zgjerim të paprecedentë të krizës ushqimore dhe të ushqyerjes në vend. //a.i/