NJU JORK – OKB do të votojë për armëpushim ‘të pakushtëzuar’ në Gazë

NJU JORK, 11 dhjetor /ATSH-AFP/- Asambleja e Përgjithshme e OKB-së do të votojë sot per një projektrezolutë që bën thirrje për një armëpushim të menjëhershëm dhe të pakushtëzuar në Gazë – një gjest simbolik pasi Shtetet e Bashkuara të Amerikës vendosën veton ndaj një veprimi të ngjashëm në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.
Në fund të muajit të kaluar, Uashingtoni përdori të drejtën e vetos në Këshill – siç ka bërë më parë – për të mbrojtur aleatin e tij Izraelin, i cili ka qenë në luftë me Hamasin në Rripin e Gazës – që nga sulmi i grupit militant palestinez më 7 tetor 2023 ndaj Izraelit.
SHBA-ja bllokoi përpjekjen e Këshillit për të bërë thirrje për armëpushim – duke thënë se duhej mbajtur një lidhje ndërmjet armëpushimit dhe lirimit të të gjithë pengjeve.
Zëvendësambasadori i SHBA-së, Robert Wood mbrojti sërish këtë qëndrim, duke thënë se do të ishte e turpshme dhe e gabuar miratimi i draftit.
Asambleja e Përgjithshme shpesh e gjen veten duke marrë masa që nuk mund të kalojnë përmes Këshillit të Sigurimit, i cili ka qenë kryesisht i paralizuar për çështje të nxehta si Gaza dhe Ukraina, dhe këtë herë nuk është ndryshe.
Projektrezoluta, e cila pritet të kalojë, por do të jetë jo detyruese, bën thirrje si për një armëpushim të menjëhershëm, të pakushtëzuar dhe të përhershëm – dhe gjithashtu për lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte të të gjithë pengjeve.
Rezoluta kërkon gjithashtu një qasje të menjëhershme në ndihmën e gjerë humanitare për qytetarët e Gazës, veçanërisht në veriun e rrethuar të territorit.
“Gaza nuk ekziston më. Ajo është shkatërruar”, i tha Asamblesë i dërguari i Sllovenisë në OKB Samuel Zbogar.
“Historia është kritikuesi më i ashpër i mosveprimit”, tha ai. //a.i/