E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

“Na lajmëroni datën e ekzekutimit”, dokumenti që lidh Enverin me vrasjen e Dom Lazër Shantojës! Vendimi për pushkatim më 1945

Historia e Dom Lazër Shantojës është një nga dëshmitë më të rënda të dhunës politike të ushtruar në Shqipërinë e pasluftës.

enver hoxha dom lazer

Ajo bashkon fatin e një prifti katolik, të një intelektuali të formuar në traditën evropiane, të një publicisti e përkthyesi, me historinë e një regjimi që, në muajt e parë të konsolidimit të pushtetit, ndërmori arrestime, gjyqe ushtarake dhe ekzekutime kundër njerëzve që i konsideronte kundërshtarë. Dom Lazër Shantoja (1892–1945) u arrestua në fillim të vitit 1945, u gjykua nga gjykata ushtarake dhe u dënua me vdekje. Dokumentet e cituara në materialin historik për këtë ngjarje përmbajnë dy radiograme të nënshkruara nga Enver Hoxha, të datave 1 dhe 10 shkurt 1945. Në të parin kërkohej dërgimi i Shantojës dhe i Sulçe Beg Bushatit në Tiranë; në të dytin miratohej dënimi me vdekje i të dyve dhe kërkohej njoftimi i datës së ekzekutimit. Dokumentet ruhen në AQSH në një dosje të fondit të Partisë Komuniste, të vitit 1945 dhe dëshmojnë momentin pas arrestimit, dhënien e dënimit me vdekje, aprovimin dhe njoftimin e ekzekutimit.

FORMI INTELEKTUAL

Lazër Shantoja u lind në Shkodër më 2 shtator 1892. Studimet e larta i kreu për Teologji në Insbruk dhe në vitin 1915 u shugurua meshtar. Shantoja ishte prift dioqezan, publicist, përkthyes i Gëtes, Shilertit dhe Leopardit, poet lirik, satirist dhe një ndër esperantistat e parë shqiptar. Fletoret e tij janë plot me krijime poetike në shqip, italisht, gjermanisht, esperanto. Ka qenë ndër priftërinjtë e parë të arrestuar nga forcat e ndjekjes të regjimit komunist dhe më pas u pushkatua për përfshirjen e tij në propagandën fashiste. Shantoja u bë i njohur për veprimtarinë e tij në shtypin shqiptar dhe për përkthimet nga letërsia evropiane, veçanërisht nga Goethe, Schiller dhe Leopardi.

Ai u përfshi në jetën kulturore të kohës dhe ishte ndër intelektualët që kontribuuan në zhvillimin e gjuhës e të letërsisë shqipe. Dom Lazër Shantoja, nuk ishte vetëm një meshtar që shërbente në komunitetin katolik. Ishte një njeri i kulturës, një autor që shkruante, përkthente, polemizonte dhe ndiqte zhvillimet politike e shoqërore të Shqipërisë. Formimi i tij intelektual u lidh ngushtë me traditën e shkollimit katolik dhe me përvojën e studimeve në Austri. Ai u shugurua meshtar në vitin 1915 dhe, krahas shërbesës fetare, zhvilloi një veprimtari të gjerë letrare. Në punën e tij gjejmë përkthime nga autorë të rëndësishëm evropianë, poezi, prozë dhe shkrime publicistike. Nëpërmjet përkthimeve të Goethe-s dhe Schiller-it, Shantoja kontribuoi në afrimin e lexuesit shqiptar me letërsinë gjermane. Ai u mor edhe me veprën e poetit italian Giacomo Leopardi, ndërsa bashkëpunoi me periodikë të ndryshëm kulturorë e letrarë.

Emri i tij lidhet me revista si Hylli i Dritës, Leka, Cirka dhe Illyria. Përveç identitetit të tij fetar, ai kishte një profil të dallueshëm kulturor dhe intelektual. Ishte pjesë e një brezi shqiptarësh që përpiqeshin të ndërtonin një kulturë kombëtare në dialog me traditat e tjera evropiane. Dom Lazër Shantoja jetoi në mërgim plot 15 vjet, stinën më të mirë të jetës së tij. Pas pushtimit të Shqipërisë më 7 prill 1939, u kthye në gusht në Shqipëri. Pas pritjeve që iu bë mërgimtarit shumëvjeçar, mbajti meshë në kishën katedrale. Më 28 shtator 1939 mbajti fjalimin me rastin e dorëzimit të Flamurit të Ri. Në fjalimin e tij do të theksonte që: «sodit e mbrapa Shqipnija do të bahet e do të mbetet për jetë Shqipni romake, Shqipni fashiste». Po në atë vit u vendos bashkë me të ëmën në Tiranë. Në 12 mars 1940, Shantoja vizitoi Egjiptin, i dërguar nga pushtuesi italian me misionin për të neutralizuar ndikimin e Legatës shqiptare e cila përkundër përpjekjeve të pushtuesit për ta mbyllur siç kishte bërë me legatat tjera, vazhdonte veprimtarinë e saj normalisht duke sfiduar Italinë.

Shantoja u takua me mërgatën shqiptare në Egjipt, mbajti fjalime të shumta dhe ndikoi që në Kairo dhe Aleksandri të themelonte fashin e parë fashist shqiptar. Më 8 nëntor 1940 gazeta “Tomorri” botoi artikullin për një miting të bërë në Shkodër ku Shantoja mbajti një fjalim të zjarrtë. Më 1941 me Koliqin, Mustafa Krujën, P. Valentinin, Gurakuqin, Kortshën etj., qe një nga themeluesit në Tiranë të Institutit të Studimeve Shqiptare. Mbështeti pambarimisht qeverinë Kruja, tek i cili shihte vazhdimin e mendimit politik të Gurakuqit. Në maj të 1943 merr pjesë në varrimin e Ndok Gjeloshit në Tiranë. Me kapitullimin e Italisë në shtator 1943 u tërhoq prej skenës politike. Fliste, lexonte e shkruante latinishten e greqishten, gjermanishten, frëngjishten e italishten. Qe ndër të parët shqiptarë që mësuan esperanton. Por kujdesin më të madh e kishte për të përsosur shqipen, si mjeti i tij kryesor letrar e estetik. Vuante nga brenga për shqipen, nga malli për atdhenë e gjithçka lidhej me të.

PUSHTETI KOMUNIST

Viti 1945 shënoi një periudhë vendimtare në historinë shqiptare. Lufta e Dytë Botërore po përfundonte, por përplasjet politike nuk kishin marrë fund. Forcat komuniste, që kishin dalë fituese në luftën për pushtet, po vendosnin institucionet e tyre dhe po përcaktonin se cilët persona do të konsideroheshin kundërshtarë të rendit të ri. Në këtë klimë, arrestimet dhe gjyqet ushtarake u përdorën kundër personave që akuzoheshin për bashkëpunim me kundërshtarët politikë, për veprimtari kundër pushtetit ose për lidhje me strukturat e mëparshme politike. Klerikët katolikë, në veçanti ata që kishin një profil të njohur publik ose që shprehnin qëndrime të kundërta me komunizmin, u gjendën përballë një situate gjithnjë e më të rrezikshme.

Kisha Katolike kishte institucionet, shkollat, shtypin dhe rrjetet e veta shoqërore, ndërsa drejtuesit e rinj politikë synonin të kontrollonin organizimin e jetës publike dhe të kufizonin institucionet që nuk i nënshtroheshin pushtetit. Dokumentimi historik i përndjekjes së klerit tregon se represioni u shtri në arrestime, burgime, ekzekutime dhe masa të tjera ndëshkuese. Në këtë realitet hyn edhe historia e Dom Lazër Shantojës. Ai kishte qëndrime politike të njohura dhe ishte lidhur me qarqe që regjimi i ri i shihte si kundërshtare. Pas kapitullimit të Italisë në shtator 1943, sipas rrëfimit të Radio Vatikanit, ai u tërhoq nga skena politike dhe vazhdoi të merrej me përkthime, duke vëzhguar me shqetësim luftën e brendshme në Shqipëri. Por tërheqja nga veprimtaria politike nuk e mbrojti nga arrestimi. Për autoritetet, e kaluara politike, lidhjet dhe bindjet e tij u bënë pjesë e çështjes penale që përfundoi me dënimin me vdekje.

ARRESTIMI NË SHELDI

Sipas kronologjisë së publikuar nga Radio Vatikani, Dom Lazër Shantoja u arrestua më 30 janar 1945 në Sheldi, ku ishte strehuar prej rreth dy muajsh. Pas arrestimit, u dërgua në Shkodër dhe nisi periudha e torturave. Më pas u transferua në burgun e Tiranës. Arrestimi i tij ndodhi në një kohë kur pushteti i ri po konsolidonte kontrollin mbi vendin dhe kur akuzat politike mund të kishin pasoja fatale. Në procesverbalin e datës 27 janar 1945, para oficerëve Lako Polona dhe Skënder Hysi citohet një përgjigje që Shantoja thuhet se u dha personave që e kapën: “As ma pak e as ma shumë, se ajo që kam dijtë me kohë, se, komunistët janë veç trathtarë”. Sipas historisë që plotëson profilin e Dom Lazër Shantosë, publikuar nga Kisha Katolike e Shqipërisë, klerikun shkodran, pas arrestimit, e torturuan në mënyrë çnjerëzore.

I thyen krahët, i sharruan eshtrat e këmbëve, e ai ecte duke u hequr zvarrë mbi bërrylat e gjunjët. Aktakuzën ia përpiloi prokurori Jonuz Mersini më 28/29 janar, mbas prokurorit Shantoja u shpreh se kërkonte pafajësinë. Më 31 janar u dha vendimi i e arrestuan nga Gjykata Ushtarake e Qarkut, me kryetar Esat Ndreun, antarë: Mustafa Iljazi e partizani Hysni Lame, prokuror Vaskë Koleci, sekretar Shaban Kuçi: “I pandehuri Dom Lazër Shantoja me vdekje, me pushkatim”. Gjatë paraburgimit në tortura e sipër ia thyen të katërta gjymtyrët. Me datën 2 shkurt 1945, aprovohet nga Gjykata e Lartë Ushtarake, Tiranë. Më datën 9 shkurt 1945, në mbledhjen komisioni për zbulimin e kriminelëve të Luftës për Tiranën Jusuf Alibali, deklaron si mbas akt-akuzës: Deklaruesi (Jusuf Alibali) d.v. Komisioni hetimor: J. Alibali d.v. “Vendimi u ekzekutue në Tiranë, me datën 5 mars 1945.” U pushkatua së bashku me Sulçe beg Bushatin në rrethinat e Tiranës, pas ekzekutimit u thirr P. Viktor Volaj për t’i kryer shartet e vdekjes, duke qenë kështu edhe njeriu i fundit që pa kufomën e martirit.

DHIMBJA E NËNËS

Arrestimi, torturat çnjerëzore e më pas ekzekutimi i Dom Lazër Shantojës, një prej martirëve të shpallur para disa muajve nga Vatikani, është një prej rasteve më të përgjakshme të krimeve të komunizmit. Një nga episodet më të dhimbshme që përcillet në rrëfimet mbi Dom Lazër Shantojën lidhet me vizitën e nënës së tij në burg. Nëna e Shantojës arriti ta shihte të birin në gjendje të rëndë fizike. Ajo pa se çfarë i kishin bërë dhe u përball me vuajtjen e një njeriu që nuk mund të jetonte më pa dhimbje. Xhelatët e kuq, për terror psikologjik të dyanshëm, e lejuan të ëmën ta vizitonte dhe plaka e mjerë, duke e parë të birin në atë gjendje, iu lut rojeve të burgut: “Vritnje, keni mëshirë për tê e mos e leni me vuejtë ma kështu!”. Dhe ata nuk vonuan ta vrisnin. E pushkatuan në fushat e shkreta të Tiranës, e flakën në një gropë pa emër, pa shenjë kryqi, duke shkruar me gjakun e tij një nga kapitujt më të turpshëm në librin e pashkruar të torturave, që komunistët nuk ngurruan të përdorin mbi kundërshtarët e vet, posaçërisht mbi klerikët. Dom Lazër Shantoja u pushkatua më 5 mars 1945 në rrethinat e Tiranës, së bashku me Sulçe Beg Bushatin.

Pas ekzekutimit u thirr At Viktor Volaj për të kryer ritet e fundit fetare dhe se ai ishte personi i fundit që pa trupin e Shantojës. Kështu përfundoi jeta e një njeriu që kishte kaluar nga shërbesa fetare dhe veprimtaria kulturore në arrestim, tortura, gjykim dhe pushkatim. Sipas rrëfimeve të publikuara mbi ekzekutimin e Shantojës, trupi i tij u varros në një varr pa emër në afërsi të Tiranës. Pas vdekjes, Dom Lazër Shantoja u kujtua jo vetëm për rrethanat e ekzekutimit, por edhe për veprën e tij dhe për qëndrimin e tij fetar. Më 5 nëntor 2016, Kisha Katolike e shpalli të lumë, së bashku me martirë të tjerë shqiptarë të përndjekur gjatë regjimit komunist. Dom Lazër Shantoja la një numër të madh veprash, të cilat janë mbledhur me zell e përkushtim nga Arben Ndreca në dy vëllime me qindra faqe, që përmbledhin jo vetëm veprat e njohura, si “Për natë kazanash”; përkthimet e “Faustit” dhe “Hermani e Doroteja” të Gëtes e “Vilhelm Telit” të Shilerit, por edhe shkrimet e tij të shumta, shpërndarë ndër gazeta e revista të kohës, si “Leka”; “Cirka”; “Zani i Shëna Ndout” e sidomos tek “Ora e maleve”, ku bashkëpunoi ngusht me Atë Harapin, Atë Fishtën e Luigj Gurakuqin. Më 1920 poeti botoi te “Zani i Shna Ndout” ciklin me tingëllima “Duhia” në të cilin bëjnë pjesë: “Duhia”, “Lamtumira”, “Kështjelli” dhe “Baria”, kushtuar atdhetarit në zë, Imzot Gjergj Kolecit.

/Gazeta Panorama

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›