E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nafta “Virgin”, të pandehurit kërkesë për gjykim të shkurtuar

TIRANË- Skandali i naftës bruto ka shumë gjasa të mbyllet vetëm për pak javë, për pjesën më të madhe të të pandehurve. Në seancën e djeshme gjyqësore të pandehurit kërkuan gjykim të shkurtuar duke pranuar në këtë mënyrë të gjitha aktet që ndodhen në dosjen voluminoze të prokurorisë.

Nga 16 të pandehurit, vetëm dy nuk e bënë një kërkesë të tillë dhe konkretisht Hajri Elezaj, biznesmeni i “Euroil” sh.a, i cili ndodhet në kërkim dhe i pandehuri tjetër po në kërkim, Bledar Rama.

Mbrojtësit e tyre ligjorë kanë kërkuar që gjyqi të zhvillohet me procedurë normale, pasi nuk e pranojnë akuzën e prokurorisë dhe për pasojë, pritet që në vijim të ketë dhe kërkesa nga ana e tyre. Sa u përket të pandehurve të tjerë, ishte biznesmeni Ilias Fisheku, i cili përmes avokatit kërkoi gjykim të shkurtu ar dhe veçim të dosjes nga pjesa tjetër e të pandehurve. Të njëjtën kërkesë e bëri dhe ish-punonjësi i Anti-kontrabandës, Arjan Daci. Lidhur me kërkesat e të pandehurve, prokuroria e çështjes Daniela Sulaj kërkoi kohë për tu dhënë përgjigje.

Biznesmeni Hajri Elezaj tashmë në kërkim dhe 15 të akuzuarit e tjerë, dyshohen për akuzat e pastrimit të produkteve të veprës penale të moskallëzimit të krimit apo mashtrimit. Hetimi për skandalin e naftës nisi pas denoncimit që bëri ish-ministri i Ekonomisë Dritan Prifti. Akuza zbuloi se nafta bruto deklarohej si e eksportuar jashtë vendit, në një kohë që shitej në kundërshtim me ligjin në tregun vendas në dëm të interesave të konsumatorëve.
(Shkrimi sot në Gazeta Shqiptare)
(el.me/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›