E Shtunë, 31 Tetor 2026

”Invalid” në Zvicër, deputet në Kosovë

Sipas agjencisë “Koha Ditore”, deputeti i Parlamentit të Kosovës Azem Syla, ka qenë azilant në Zvicër për shumë vjet, dhe atje i deklaruar si “invalid psikik 100%”, ka arritur që të marrë mijëra euro si ndihma sociale.

Në vendimin e Gjykatës Administrative të Kantonit të Solothurnit në Zvicër, një kopje të së cilit e ka siguruar agjencia “Koha Ditore”, janë numëruar, siç quhen aty, mashtrime, sjellje joligjore dhe keqpërdorime nga Azem Syla, deputet i Partisë Demokratike të Kosovës.

Në vendimin e kësaj gjykate thuhet se më 29 mars 2011, Enti për Migracion dhe Lejeqëndrime i Kantonit të Solothurnit në Zvicrën qendrore konstatoi se lejeqëndrimi i kategorisë C, me të cilin ishte i pajisur Azem Syla, ka skaduar. Rrjedhimisht Gjykata Administrative ka urdhëruar që Sylës t’i merrej lejeqëndrimi dhe ta lëshonte Zvicrën deri më 15 maj. Sipas vendimit të Gjykatës më 8 prill 2011, Syla është ankuar kundër vendimit.

Në aktvendim të Gjykatës thuhet se parashtruesi i ankesës, në këtë rast Azem Syla, ka shkuar në Zvicër më 20 tetor 1994, bashkë me gruan dhe tre fëmijët dhe kërkoi azil. Më 4 gusht 1995, atij dhe familjes së tij u kishin dhënë azil. Më 14 tetor 1999, Syla kishte marrë lejeqëndrimin C në Zvicër.

Në vendimin e Gjykatës thuhet se Syla gjatë luftës ka qenë shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), ndërsa pas luftës ushtroi funksionin e ministrit të Mbrojtjes. Për këto arsye atij iu kishte anuluar statusi i refugjatit më 6 tetor 2000.

“Gjatë qëndrimit të tij në Zvicër, Azem Syla nuk ka punuar kurrë. Pas ardhjes së tij ne Zvicër ai mori ndihma sociale dhe nga viti 2002 kontribute shtesë, pasi që për shkaqe psikike ai kishte një shkallë invaliditeti prej 100 %”, thuhet në këtë aktvendim.

Gjatë këtyre viteve, sipas vendimit të Gjykatës Administrative të Kantonit të Solothurnit, Azem Syla nga sigurimi invalidor zviceran ka marrë 426 mijë franga, që në këmbim janë rreth 350 mijë euro.

(ar.si/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›