E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Nafta pa akcizë për bujqësinë, AZHBR: Deri tani mbi 50 mijë aplikime

Që nga dita e hapjes së thirrjes më 20 mars për masën e mbështetjes me naftë pa akcizë për kryerjen e punimeve të mekanizuara në bujqësi, kanë aplikuar mbi 50 mijë fermerë shqiptarë, njoftoi Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural.

Kjo agjensi bëri të ditur se qëllimi i kësaj mase është lehtësimi i kostove të prodhimit për fermerët dhe rritja e rendimentit të prodhimit.

Sipas AZHBR-së, interesi i fermerëve për të përfituar nga Skema Kombëtare është tejet i lartë dhe kjo falë mbështetjes financiare për këtë sektor, që ka qenë çdo vit në dispozicion të tyre.

Skema e mbështetjes për naftë falas, vijon për të tretin vit radhazi me një buxhet prej 1.4 miliardë lekë.

Aplikimet kryhen on-line përmes portalit e-Albania në linkun: https://e-albania.al/eAlbaniaServices/UseService.aspx… ose pranë Agropikave dhe zyrave të ekstensionit bujqësor deri në datë 11 prill.

Sipas Skemës Kombëtare 2023, mbështetja me naftë jepet për kryerjen e punimeve të mekanizuara në bujqësi, për fermerët e serrave, vreshtave, blegtorët, bletarët, peshkatarët dhe atyre që aplikojnë për certifikimet Global Gap dhe Organike.

Skema Kombëtare e këtij viti përfshin edhe grante për investime në asete fikse, për ndërtimin e tregjeve bujqësore, shtimin e kafshëve të gjalla dhe thertoret, si dhe masën për trajnime në bujqësi.

/ rtsh. al /

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›