Naftëtarët e Marinzës hyjnë në ditën e 3-të të grevës së urisë, nisin problemet e para shëndetësore

Në ditën e tretë të grevës së urisë, 10 naftëtarët e Marinzës kanë nisur të shfaqin shqetësimet e para shëndetësore për shkak të dobësimit të trupit dhe dhimbjeve të forta koke.
Gazetarja Laureta Roshi në një lidhje të drejtpërdrejtë për RTSH24 deklaroi se naftëtarët janë shprehur se do të shkojnë deri në fund me këtë formë proteste, me shpresën se do të ketë një ndërhyrje nga strukturat qeveritare që të pranohet se kërkesat e tyre janë të drejta dhe për të siguruar ndërmjetësim me shoqërinë “Bankers”.
“10 naftëtarët janë ngujuar në mjediset e punës së tyre në Marinëz në fushëmbajtjen e puseve të naftës ku shoqëria Bankers me kontratë ka shfrytëzimin e kësaj fushe prej 20 vitesh.
Kujtojmë se ish-drejtues të shoqërisë bankers janë në hetim nga SPAK për evazion fiskal dhe vjedhje të një grupi të strukturuar kriminal për pastrim parash, për shumë akuza. Bankers ka zgjedhur një tjetër CEO dhe ka vijuar punë për 400 punonjësit e saj por naftëtarët kanë qenë në tratativa për tu marrë vesh përmes sindikatës së sektorit hidrokarbur. Kjo sindikatë është përpjekur të dialogojë me drejtues të shoqërisë Bankers për të plotësuar kërkesat e naftëtarëve siç e kërkon kodi i punës; pagat e unifikuara sipas pozicionit të punës; njohjen e statusit të naftëtarëve përsa kohë ata janë punonjës të hidrokarbureve”, deklaroi gazetarja.
Për më tepër, shtoi Roshi, sindikata e sektorit të hidrokarbureve ka qenë në tratativa me drejtues të shoqërisë për të zgjidhur kërkesat e naftëtarëve, që përfshijnë pagat e unifikuara sipas pozicionit dhe njohjen e statusit të naftëtarit, të cilin e ka miratuar Parlamenti shqiptar në vitin 2017.
Dhjetë anëtarë të Kryesisë dhe Këshillit Drejtues të Sindikatës nisën tri ditë më parë një grevë urie pasi sipas tyre nuk u dëgjuan nga kompania, edhe pse këto kërkesa janë parashtruar që në muajin maj të këtij viti.
Kërkesat e saj kryesore janë: rritje page prej 9% për punonjësit me paga të ulëta, bazuar në një listë individësh të përcaktuar më parë nga vetë Sindikata, alokimi i 1% të fondit total të pagave të kompanisë për krijimin e një fondi për Sindikatën. Deri tani nuk ka pasur dialog mes palëve, pasi kompania pretendon se sindikata që ata i përfaqëson nuk plotëson kriteret ligjore.
/rtsh.al/