E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nard Ndoka: Nuk shoh pengesa për bashkëpunim me PS

nardiKreu i demokristianëve, Nard Ndoka, pohon se nuk sheh asnjë pengesë që të bashkëpunojë me mazhorancën e re.

Si drejtues i kësaj partie kam bashkëpunuar me Partinë Socialiste për tre vjet në opozitë. Ka qenë një bashkëpunim i vlefshëm dhe i frytshëm për nga eksperienca politike, nga thyerja e tabuve që kanë ekzistuar, pra i kemi tejkaluar pengesat e tilla dhe nuk shoh ndonjë pengesë reale edhe për bashkëpunime në të ardhmen, tha Ndoka për TCH.

Ai vijon më tej duke thënë se, pavarësisht se është aleat me PD-në, do mbajë qëndrime të ndryshme nga kjo parti.

Opozita do të jetë objektive në këtë rast apo të paktën roli i Partisë Demokristiane apo i imi si kryetar i kësaj partie do të jetë ndryshe edhe me qëndrimet e PD-së dhe të grupit të saj parlamentar, tha Ndoka.

Edhe Shpëtim Idrizi shprehet se PDIU është kundër një opozite agresive dhe bllokuese, duke lënë të hapur bashkëpunimin me mazhorancën.

Refuzoj termin ‘opozitë e ashpër’, çfarë do të thotë ky term? Ne jemi brenda kontureve të institucionet e opozitës, pra konturet janë të përcaktuara se kush quhet një opozitë konstruktive dhe njëkohësisht e fortë në kuptimin e mosbjerrjes së interesit publik, transparencës dhe të drejtës morale për të kontrolluar Qeverinë. Pra nga kjo anë, brenda këtij konteksti do ta mirëkuptoja dhe të bëhesha pjesë e kësaj opozitë. Çdo veprim obskurantist, çdo veprim dhunues nga mazhoranca apo nga opozita do të refuzohet nga PDIU-ja, tha Idrizi.

Ata kanë konfirmuar ndërkohë se nuk kanë votuar pro Ilir Metës, gjë që e kanë bërë edhe aleatët e tjerë. Për këtë arsye, PD tashmë duhet të zbulojë tradhtarët që votuan pro Ilir Metës në Kuvend, pavarësisht se kishte një vendim grupi për votën kundër.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›