E Shtunë, 31 Tetor 2026

Eduard Halimi: Mazhoranca e re, injorante dhe e uritur për pushtet

halimiDeputeti demokrat, Eduard Halimi, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama, se ka shkelur Kushtetutën duke paraqitur që ditën e sotme programin qeverisës në Kuvend. Sipas tij, kjo mazhorancë është e uritur për pushtet dhe injorante.

Presidenti i Republikës dekretoi dje për kryeministër z. Rama dhe hapi i parë i këtij kryeministri të ri ishte në shkelje të hapur të Kushtetutës. Sipas njoftimit të Kuvendit, u paraqit në orën 16:00, ditën e djeshme, programi i qeverisë së re. Kushtetuta kërkon që kryeministri paraqet programin bashkë me kabinetin (kabineti dje ende nuk ishte dekretuar).

Pasi tregoi me mburrje dekretin, z. Rama shkeli Kushtetutën e vendit. Hapi i parë i kryeministrit ishte antikushtetues. Akt i papranueshëm në një vend demokratik!

E papranueshme edhe për Kuvendin e Shqipërisë që veprimi i parë që kryen është antikushtetues, sepse pranoi paraqitjen e një programi pa përbërje, madje reklamoi mediatikisht këtë pranim.

Në fakt, Presidenti i Republikës sot e dekretoi qeverinë e re dhe vetëm sot i lind e drejta kushtetuese kryeministrit ta paraqesë në Kuvend, vetëm sot i lind e drejta kushtetuese kuvendit të pranojë paraqitjen e programit dhe përbërjen e qeverisë.

Miq, është aq e nxituar dhe uritur për pushtet mazhoranca e re, saqë dhe nenet formale, të qarta me precedentë të mirëvendosur të Kushtetutës, i shkel. Sa keq që përpara se të bëhej kryeministër i të gjithë shqiptarëve, z. Rama as e ka lexuar Kushtetutën!

Përballë kësaj injorance në qeverisje, që nuk ngurroi të shfaqej që në ditën e parë, ne jemi të vendosur të qëndrojmë fort në mbrojtje të interesave më të mira të qytetarëve shqiptarë dhe demokracisë në vend, shprehet Halimi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›