E Martë, 3 Nëntor 2026

Narkotrafiku dhe zotëruesit e armëve pa leje, Balla: Do ju ndjekim këmba-këmbës

Policia e Shtetit do të vazhdojë t’i ndjekë “këmba-këmbës” shkelësit e ligjit, ka paralajmëruar ministri i Brendshëm, Taulant Balla.

Autoritetet ligjzbatuese po zhvillojnë dy operacione në shkallë kombëtare për vepra të ndryshme kriminale të organizuara në grup ose individualisht: “Tempulli” është operacioni në vazhdën e luftës kundër narkotrafikut, ndërsa “Sundimi i ligjit” është fokusuar te ndalimi i shtetasve që veç të tjerave qarkullojnë me armë zjarri pa leje.

“Garantimi i rendit dhe i sigurisë lidhet ngushtësisht me luftën kundër armëmbajtjes pa leje si një burim potencial i krimeve të rënda kundër personit. Dy operacionet kombëtare ‘Tempulli’ dhe ‘Sundimi i ligjit’ vijojnë të ndjekin këmba këmbës shpërndarësit e lëndëve narkotike, poseduesit e armëve pa leje, si dhe ndalimin e shtetasve në kërkim kombëtar e ndërkombëtar.

Në Kavajë janë vënë në pranga 4 shtetas dhe është sekuestruar lëndë narkotike kanabis, gati për shpërndarje.

Në Tiranë janë sekuestruar dy armë zjarri e municion luftarak, si dhe është vënë në pranga poseduesi i tyre,” reagoi ministri Balla, duke shtuar se priten më shumë rezultate çdo ditë.

Tiranë, vijon operacioni policor i koduar “Sundimi i ligjit”

Në kuadër të këtij operacioni, nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Sektorin e Forcës së Posaçme Operacionale, është finalizuar faza e dytë e operacionit policor të koduar “Transportuesi”.

Si rezultat në rrugën “Llazi Miho”, u kap dhe u arrestua shtetasi K. (A). C. (Ç)., 44 vjeç, banues në Tiranë.

Gjatë kontrollit të automjetit që 44-vjeçari drejtonte, shërbimet e Policisë i gjetën dy armë zjarri pistoleta, njëra prej tyre me fishek në fole, gati për qitje, një silenciator, krëhra e municion luftarak, të cilat u sekuestruan, në cilësinë e provës materiale së bashku me automjetin dhe një aparat celular.

Nga verifikimet e kryera dyshohet se 44-vjeçari, pasi ka siguruar armët e zjarrit në Kosovë, dyshohet se i ka trafikuar ato në Shqipëri, me qëllimin shitjen e tyre, te persona të tjerë.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›