Nasip Naço: Rama po përpiqet të përfitojë nga fatkeqësia e Bulqizës. Minatorët: Të shkarkohet Naço
Ministri i Ekonomisë, një prej përgjegjësve për atë që ka ndodhur me minierën e Bulqizës, jo vetëm sot, ka akuzuar kreun e opozitës, Edi Rama, se është duke u përpjekur që të përfitojë nga fatkeqësia e ndodhur ditën e sotme.
“Nëse ndokush shpreson të fitojë nga fatkeqësitë, ai është i pashpresë”, tha Naço me anë të një komunikate, duke iu kundërpërgjigjur Ramës, i cili ishte shprehur se Bulqiza është një histori korrupsioni qeveritar.
Por, kreu i Sindikatës së minatorëve, Kolë Nikollaj, kërkoi pak para deklaratës së Naços, shkarkimin e këtij të fundit, si përgjegjës për tragjedinë e sotme.
Ndërkohë, sipas një njoftimi për shtyp të ministrisë së Ekonomisë, theksohet se një ekip pune është ngritur nën drejtimin e zv/ministrit Neritan Alibali dhe është nisur drejt Bulqizës.
Specialistët e nisur drejt Bulqizës, do të verifikojnë nëse punëtorët e firmës koncensionare ACR, ishin duke kryer veprime kundër urdhrit të dhënë nga METE, apo ishin në minierë për riparimin e defekteve të konstatuara për shkak të ndërprerjes së punimeve theksohet në njoftimin e METE-s.