Nata e ndërrimit të viteve – Mot i kthjellët dhe me temperatura të qëndrueshme

Na ndajnë vetëm pak ditë nga ndërrimi i viteve dhe të gjithë janë të interesuar se si do të jetë moti për ditët e fundit të vitit.
Sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, fundjava e fundit e vitit 2024-ër paraqitet në kushte të qëndrueshme dhe pa reshje.
“Për fundjavën presim kushte të qëndrueshme atmosferike ku moti pritet të jetë i kthjellët dhe vranësira të pakta kalimtare. Temperaturat priten të jenë me rënie”, tha sinoptikania.
Gjithashtu dhe nata e ndërrimit të viteve dhe ditët e para të vitit 2025-së do të jenë në të njëjta kushte atmosferike si fundjava, me një mot kryesisht me kthjellime.
“Edhe nata e ndërrimit të viteve pritet të jetë në njëjtat vlera sinoptike ku moti pritet të jetë i kthjellët në të gjithë territorin. Edhe në ditët e para pritet të jenë në të njëjtat kushte sinoptike”, u shpreh sinoptikania.
Duke qenë se nuk do të ketë reshje shiu, qytetarët mund t’i gëzohen akoma më shumë atmosferës magjike të festave, ndërsa mund të dalin në mbrëmje në sheshet e qyteteve për të shijuar atmosferën e ndërrimit të viteve.
/rtsh.al/