E Shtunë, 31 Tetor 2026

Natë çudish në Champions, dështojnë ekipet e mëdha

Champions League ka dhuruar emocione pafund dhe surpriza të mëdha mbrëmjen e djeshme, kur skuadrat e mëdha të kontinentit janë detyruar të dalin me turp nga fushat e tyre. Liverpuli, Interi apo Barcelona luanin në shtëpi, por asnjë nga këto ekipe nuk ka mundur të gjejë fitoren. Madje, përveç zikaltërve të Murinjos që morën një barazim me Dinamon e Kievit, Barcelona e Liverpuli kanë pësuar disfatë. Mbrëmja e çudive ka vazhduar edhe me skocezët e Glazgou Rejnxhërs, që janë mposhtur thellësisht 1-4 nga Unirea Urziceni, një ekip që debuton në Ligën e Kampioneve.
Grupi E
Fiorentina ka përmbysur gjithçka në grupin E, ku Debreceni kaloi në avantazh pas vetëm 2 minutash. Mutu e Xhilardino kthyen vjollcët në avantazh, ndërsa goli i tretë u shënua sërish nga rumuni. Rudolf shkurtoi diferencën për vendasit, por këtë herë ishte Santana që realizoi golin e katërt. Ndeshja u mbyll me një gol të Kulibali 2 minuta para përfundimit. Ndërkohë, në takimin tjetër të këtij grupi, të zhvilluar në "Anfield Road", Liverpuli e ka bërë tepër të vështirë kualifikimin. Të kuqtë shënuan në minutën e 41-të me Benajun, por në pjesën e dytë francezët përmbysën gjithçka. Gonalons dhe Delgado ishin autorët e golave për Lionin, që thuajse e siguron kualifikimin.
Grupi F
Në grupin F, nuk mund të shkonte më keq për Interin dhe Barcelonën. Interi u ndal 2-2 nga Dinamo e Kievit e Andrij Shevçenkos, që në fushë ka luajtur e vendosur dhe me tepër guxim. Miqtë shënuan pas 5 minutash lojë pas një gabimi të mbrojtjes zikaltër, por në minutën e 35-të Stankoviç barazoi pas një asisti të Lusios. Kur pritej goli i Interit, Lusio devijon në rrjetë një top të ardhur nga këndi dhe ukrainasit kalojnë në avantazh. Interi barazoi vetëm 2 minuta pas nisjes së pjesës së dytë me anë të Samuel me kokë, por deri në fund goli i fitores nuk ka ardhur. Suazo ka patur rastin më të mirë, por 2 metra larg portës e dërgoi topin jashtë. Në ndeshjen tjetër të këtij grupi, Barcelona bëri harakiri duke u mundur 2-1 në shtëpi nga Rubin Kazan. Razantcev shënoi për rusët në minutën e dytë, por 3 minuta nga starti i pjesës së dytë, Ibrahimoviç barazoi. Barça e zhvendosi lojën, por ishte e paqartë, ndërkohë Gëkdeniz Karadeniz shënoi golin e dytë dhe të fitores për Rubinin.
Grupi G
Në grupin G, fitore të thella të dy skuadrave udhëtuese. Rumunët e Unirea Urzicenit triumfuan 4-1 në fushën e Glazgou Rejnxhërs, megjithëse u gjendën në disavantazh pas autogolit të Rikardos. Miqtë barazuan shpejt, por arbitri dha një penallti për skocezët, që Devis e gaboi. Më tej erdhi goleada e rumunëve, falë dy autogolave të MekKalloç dhe Laferti. Goli i katërt mban firmën e Brandan. Në Shtutgart, Sevilja mori fitoren e tretë në kaq ndeshje, duke mundur thellësisht 3-1 skuadrën vendase. Dy herë Skilaçi dhe Hezus Navas shënuan për spanjollët, ndërsa shkurtoi diferencën Elson.

(d.b/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›