Ndahet nga jeta Abdyl Xhaja, ish zëvendëskryeministri dhe personalitet i shquar i ekonomisë shqiptare

Një prej figurave më të njohura dhe me ndikim në ekonominë dhe politikën shqiptare të dekadave të fundit të shekullit XX, Abdyl Xhaja, është ndarë nga jeta në moshën 82-vjeçare, pas një sëmundjeje të gjatë dhe të pashërueshme.
I lindur më 13 mars 1943 në Elbasan, Abdyl Xhaja la një gjurmë të thellë në zhvillimin industrial dhe energjetik të vendit, si dhe në skenën politike gjatë viteve të tranzicionit. Ai përfundoi studimet e larta në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Tiranës në vitin 1965, duke u diplomuar si ekonomist për industri.
Karriera e tij profesionale nisi në qytetin e lindjes, ku shërbeu si ekonomist në ndërmarrje të ndryshme industriale. Më pas, ai u angazhua në një karrierë të gjatë dhe të suksesshme në Kombinatin Metalurgjik të Elbasanit, duke mbajtur pozicione të rëndësishme drejtuese. Gjatë kësaj periudhe, ai ishte gjithashtu pjesë e Komitetit Shtetëror të Statistikës dhe më vonë u ngrit në nivelet qendrore të drejtimit të sektorit industrial në vend.
Me fillimin e ndryshimeve politike në fillim të viteve ’90, Abdyl Xhaja u shndërrua në një figurë kyçe në qeverisjen e vendit. Ai shërbeu si zëvendësministër i Burimeve Minerare dhe Energjetikës, zëvendëskryeministër dhe më pas Ministër i Industrisë, Burimeve Minerare dhe Energjetikës në disa qeveri gjatë viteve 1991–1997. Si pjesë e Partisë Demokratike, ai u zgjodh deputet në vitin 1996 dhe ishte një anëtar aktiv i Këshillit Kombëtar të kësaj force politike.
Edhe pas vitit 1997, ndonëse jashtë jetës politike aktive, Abdyl Xhaja vijoi të kontribuonte në fushën e ekonomisë. Ai shërbeu si këshilltar pranë unionit të investitorëve të huaj dhe më vonë pranë Shërbimit Gjeologjik Shqiptar.
Për kontributin e tij në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe promovimin e potencialeve ekonomike të Shqipërisë, Abdyl Xhaja është nderuar me titullin “Qytetar Nderi” i shtetit të Oklahomës në SHBA – një vlerësim i rrallë për një qytetar shqiptar.
/rtsh.al/