Ndahet nga jeta Agim Bubeqi, ish-futbollisti i brezit të artë të Flamurtarit

TIRANË, 13 gusht /ATSH/ Është ndarë nga jeta Agim Bubeqi, një prej futbollistëve të spikatur të “Flamurtarit” të Vlorës gjatë viteve ’80, periudhë e konsideruar si një nga më të suksesshmet në historinë e klubit vlonjat.
Bubeqi, i lindur më 7 prill 1963, e zhvilloi karrierën e tij profesionale me fanellën e “Flamurtarit”, ku luajti si sulmues. Ai ishte gjithashtu pjesë e Kombëtares shqiptare, me të cilën regjistroi gjashtë paraqitje.
Ish-futbollisti është gjetur pa jetë në apartamentin e tij.
Agim Bubeqi ishte pjesë e një prej brezave më të rëndësishëm të “Flamurtarit”, skuadër e cila gjatë viteve ’80 u shndërrua në një nga ekipet më të forta të futbollit shqiptar dhe pati paraqitje të spikatura edhe në arenën europiane.
Ndarja e tij nga jeta ka shkaktuar trishtim në komunitetin sportiv vlonjat dhe te të gjithë ata që e njohën dhe e ndoqën gjatë viteve të tij në futboll.
/gj.m/j.p/r.e/