Ndahet nga jeta Solistja e parë e Ansamblit Popullor Lili Këlliçi

Lili Këlliçi, solistja e parë e Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore, është ndarë nga jeta nga një sëmundje e rëndë këtë të hënë, në moshën 89-vjeçare.
Për 30 vite me radhë, Lili ishte një personalitet i padiskutueshëm i botës së artit të koreografisë shqiptare. Hapësira ku ajo punoi, ekzekutoi dhe interpretoi ishte jo vetëm e gjërë, por edhe shumë komplekse.
Lejla Këlliçi apo siç e njohin të gjithë Lili, lindi në 2 Qershor 1932 në Tiranë. Që në fëmijëri ajo tregoi dhuntinë, artin e kërcimit, duke i mahnitur të gjithë ata që e rrethonin. Pasi mbaroi shkollën “Lidhja e Prizrenit”, Lili ndoqi studimet në Institutin Femëror Pedagogjik, të cilin e përfundoi me rezultate të larta. Por, dashuria e madhe që kishte për baletin, bëri që ajo të angazhohej drejtpërdrejt me grupet artistike të sapongritura.
Dhe që nga viti i largët 1950, Lili do të ishte pjesë e pandashme e artit koreografik. Në vitin 1957, kur u themelua zyrtarisht “Ansambli shtetëror i këngëve dhe valleve popullore”, Lili do të emërohej si një nga dy solistet e para të grupit të valleve dhe do të vazhdonte të mbante këtë pozicion deri në vjeshtë të vitit 1972, pasi më vonë u emërua instruktore baleti në “Pallatin e Pionerëve, Tiranë”.
Që prej vitit 1949 në Festivalin e Rinisë në Hungari ajo shkëlqeu me interpretimin brilant të valleve popullore, nga jugu në veri. Momentale do të ishte figura e saj në filmin dokumentar “Vallëzimi i Shqipeve” i vitit 1960 me regji të EndriKekos.
Ajo mbahet mend për interpretimet e shkëlqyera edhe tek “Mbledhja e mollëve”, ”Potpuri tiranase”, ”Vallja e Dardhës”, ”Vallja e Dibrës”, ”Dropullitja”etj.
Për të gjithë veprimtarinë e saj artistike, ajo është vlerësuar me titullin “Naim Frashëri”.