E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndahet nga jeta disidenti çek Havel, vijnë në shqip kujtimet

Vaclav Havel

Drejtoi Revolucionin e Kadifenjtë, u bë simbol i demokracisë.

Çekët mbajtën zi dje për vdekjen e Vaclav Havel, ish-presidenti dhe dramaturgu disident, i cili ka kaluar disa vjet në burg për tu bërë më pas lideri i parë i Çekosllovakisë postkomuniste. Në kështjellën Hradcany të Pragës, ku ndodhen zyrat presidenciale, u ngritën flamuj të zinj, ndërsa zyrtarët e qeverisë kanë nisur të planifikojnë detajet për atë që kanë premtuar të jetë funerali më i madh shtetëror në dekada dhe qytetarët kanë vendosur lule dhe kanë ndezur qirinj nëpër rrugët e Pragës, sapo televizioni shtetëror transmetoi lajmin e vdekjes së tij. Funerali është planifikuar të mbahet më 23 dhjetor, ka raportuar Agjencia Çeke e Lajmeve. Havel vdiq dje në gjumë, pas një sëmundjeje të gjatë në rrugët e frymëmarrjes. Ai ishte një ikonë ndërkombëtare, pasi kishte kundërshtuar regjimet totalitare në ish-bllokun sovjetik dhe ka ndihmuar në drejtimin e Revolucionit të Kadifenjtë të vitit 1989. Ai ka qenë president për rreth 13 vjet dhe ndër miqtë e tij më të ngushtë ishin Nelson Mandela dhe Lech Valesa. Motoja e tij gjatë tranzicionit ishte E vërteta dhe dashuria do të triumfojnë mbi gënjeshtrat dhe urrejtjen. Presidenti aktual çek, Vaclav Klaus, tha se Vaclav Havel u bë një simbol i shtetit të ri çek. Ai do të kujtohet jo vetëm për luftën e tij kundër totalitarizmit komunist, por edhe për lidershipin e Revolucionit tonë të Kadifenjtë dhe si president i parë i shtetit të lirë.
Havel u nda nga jeta në moshën 75-vjeçare, në shtëpinë e tij në veri të Pragës. Ai u ka mbijetuar disa operacioneve për kancerin në mushkëri, të cilat e lanë atë të dobët fizikisht për pjesën tjetër të jetës. Havel ishte me gruan e tij, Dagmara dhe një infermiere gjatë momenteve të fundit të jetës.
Ish-presidenti polak, Lech Valesa, tha: Një njeri i madh, një burrë me merita. Të gjithëve do të na mungojë. U prehtë të paqe!
I lindur në vitin 1936, djali i një ndërtuesi të pasur, Havelit iu mohua e drejta të merrte një edukim të mirë kur komunistët erdhën në pushtet në vitin 1948 dhe ia rrëmbyen familjes së tij të gjithë pasurinë. Pjesa më e madhe e punës së tij në presidencë ishte lufta për shpirtin e reformave demokratike kundër ekonomistit të krahut të djathtë, Vaclav Klaus, i cili e  zëvendësoi atë në vitin 2003. Pas largimit nga presidenca, Havel iu përkushtua sërish dramaturgjisë me veprën Largimi.
Vetë Havel është shprehur: Gjëja më absurde që i ka ndodhur, ishte që ka qenë aq gjatë president dhe më vonë i njërit prej dy shteteve: një herë i Çekosllovakisë dhe pastaj prej vitit 1993 i Çekisë. I njohur si një njeri i qetë e modest, Havel u bë simbol në mbarë botën për fillimin e ri demokratik të vendit të tij.
Fillimisht ai ka punuar si punëtor në teatër, shkroi veprat e tij të para dhe u bë kritik i regjimit dhe në vitin 1968, kur trupat e Paktit të Varshavës marshuan në Pragë dhe në vitin 1977, si njëri nga themeluesit e lëvizjes demokratike Charta 77.  Deri në vitin 1992, ai ishte president i Çekosllovakisë, kur  nacionalistët sllovakë kërkuan largimin e tij duke e qëlluar me vezë. Havel dha dorëheqjen. Vendi u nda dhe në vitin 1993 Haveli u bë presidenti i parë i Republikës Çeke dhe qëndroi dhjetë vjet në pushtet, me gjithë sëmundjet e rënda. Një president që e çoi vendin drejt Perëndimit, por e kritikonte edhe këtë Perëndim. Pas përfundimit të mandatit në vitin 2003, ai u angazhua për të drejtat e njeriut.

Vetëm pak ditë më parë ai ishte interesuar për botimin në shqip. Dëshironte që në vendin me një të kaluar të përbashkët të mund të lexoheshin edhe kujtimet e tij. U nda nga jeta pa e parë librin e botuar. Shtëpia Botuese 55 hedh së shpejti në treg librin Ju lutem shkurt, ndërtuar mbi një rrëfim të gjatë mbi jetën letrare dhe politike të ish-presidentit çek, Vaclav Havel. Libri është përkthyer nga Ilir Alushi dhe është ndërtuar mbi një intervistë që ish-presidenti bën me gazetarin dhe analistin e njohur, Karel Hvizhgjalën, ndërthurur me copëza kujtimesh. Ju lutem shkurt, duket se është një nga librat më të dashur të ish-presidentit. Havel ishte shumë i lumtur që libri do të botohej në gjuhën shqipe, dhe e ka ndjekur me interes përkthimin e librit. Vetëm disa ditë më parë Havel është interesuar mbi botimin e këtij libri përmes sekretares së tij. Ndihem e prekur që Havel nuk mundi ta shihte librin të botuar në shqip, një libër të cilin ai gjithnjë e quajti si një nga rrëfimet më të ndjera, thotë Alda Bardhyli, drejtoreshë e botimeve 55, e cila na vë në dispozicion një copëz nga libri i ish-presidentit Havel.                  al.mi

Pjesë nga libri
(Uashington, 7.4.2005). U largova. U largova për në Amerikë. U largova për dy muaj së bashku me familjen, me Dashën, me dy qentë dhe vajzën e saj Madlenkën. U largova me shpresë se këtu do të gjej më shumë kohë dhe përqendrim për ndonjë shkrim. Që dy vite nuk jam president dhe kam filluar të jem nervoz, se deri më tani asgjë serioze nuk kam shkruar. Kur me pyesin nëse shkruaj e se çfarë shkruaj, nevrikosem paksa dhe them se gjatë jetës sime kam shkruar shumë, sigurisht më shumë se pjesa më e madhe e bashkëqytetarëve të mi e se shkrimi nuk është një detyrim i prekshëm. Këtu jam mik i bibliotekës së Kongresit, ku më është rezervuar një ambient shumë i qetë dhe i këndshëm, ku mund të shkoj kur dëshiroj dhe mund të bëj çfarë të dua. E për këtë kurrkush nga unë nuk do asgjë. Kjo është e mrekullueshme. Me dëshirë, përveç të tjerash, do tu përgjigjem pyetjeve të zotit Hvizhgjala
Zoti President, nëse do të më lejoni, do ju drejtohem ashtu si quhen presidentët e meritës në shumë vende të botës. Bisedën do të dëshiroja ta filloja me pyetjen, që ka lidhje më gjysmën e dytë të viteve 80, kur u bëtë disidenti më i njohur në Europën Qendrore, ose siç ka shkruar John Keane yll në teatrin e opozitës. Ju kujtohet momenti kur për herë të parë ju shkoi ndër mend që duhet të hyni në jetën politike dhe për këtë nuk mjafton vetëm roli i dramaturgut, eseistit dhe mendimtarit?
Para së gjithash, do të doja të thosha diçka në lidhje me cilësimin ylli në teatrin e opozitës. Së pari bëmë gjithçka që të mos ndahemi në yje e në të tjerë, sa më shumë që një nga ne ishte i njohur e rrjedhimisht dhe më i mbrojtur, aq më tepër u përpoq që të dalë në mbrojtje të atyre më pak të njohurve që ishin dhe më të dobët në këtë drejtim. Mirëpo regjimi i përmbahej principit përça e sundo. Dikujt i thoshit Si është e mundur që ju, një dijetar i respektuar nga të gjithë, të merreni me këto njerëz pa vlera. Dikujt tjetër i thoshit: Mos fillo me këto, këto janë kafshë të mbrojtura, dhe këto nga kjo në një farë mënyre do të dalin dhe ty do të lenë në të, në mënyrë që ti të kesh të gjitha pasojat dhe për ta. Është e kuptueshme që në një situatë të tillë i dhamë rëndësi parimit të barazisë të të gjithë atyre që në një farë mënyre u shprehën kundër regjimit… Së dyti: e këtë e dini shumë mirë. Gjithmonë dyshoj për veten, kritikoj veten për gjithçka të mundur e të pamundur, nuk e pëlqej veten, e një individ i tillë nuk mund të pranojë pa protesta të mbajë një vlerësim të tillë që është yll. Nga ana tjetër, duhet të pranoj që në brendësi kam një aftësi integruese: jam një person i cili nuk i pranon konfliktet fizike, atmosferat mbytëse dhe konfrontimet, sidomos kur nuk janë të nevojshme, nuk kam qejf kur flitet vetëm për një problem pa asnjë rezultat të dukshëm, jam përpjekur që ti pajtoj njerëzit, të ndikoj në përshtatshmërinë e tyre dhe të kërkoj mënyrën se si një mendim të përbashkët ta kthejmë në një veprimtari të perceptueshme. Mbase këto kanë qenë cilësitë e mia, të cilat edh

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›