Ndahet nga jeta ikona e kinemasë franceze Nathalie Baye

PARIS, 18 prill /ATSH/ – Aktorja e njohur franceze Nathalie Baye, një nga figurat më të rëndësishme të kinemasë europiane, është ndarë nga jeta në moshën 77-vjeçare.
E zbuluar në vitet ’70 nga regjisori François Truffaut me filmin La Nuit américaine, Baye u shndërrua shpejt në një nga personazhet më të spikatura të ekranit të madh francez.
Karriera e saj u vlerësua me katër çmime César Awards. Ajo fitoi fillimisht çmimin për rolin dytësor me filmin Sauve qui peut (la vie) të regjisorit Jean-Luc Godard, e ndjekur nga një tjetër vlerësim për Une étrange affaire. Dy çmime të tjera i fitoi si aktorja më e mirë për rolet në La Balance dhe Le Petit Lieutenant.
Gjatë më shumë se pesë dekadave karrierë, Baye bashkëpunoi me disa nga emrat më të mëdhenj të kinemasë franceze dhe europiane, duke u dalluar për interpretimet e saj të ndjera, elegancën natyrale dhe aftësinë për të sjellë personazhe komplekse me një intensitet të rrallë emocional. Ajo mbeti një prani e qëndrueshme në ekran, duke kaluar me lehtësi nga rolet dramatike te ato më intime, dhe duke fituar respektin e publikut dhe kritikës ndërkombëtare.