Nis trajnimi i 20 mijë mësuesve të arsimit parauniversitar

TIRANË, 18 prill/ATSH/ Ministria e Arsimit dhe Sportit përmes Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë së Arsimit Parauniversitar nisi sot Programi Kombëtar i Zhvillimit Profesional 2026-2028 për mësuesit nga i gjithë vendi.
Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro tha se “gjatë këtij viti do të trajnohen rreth 20 mijë mësues të arsimit parauniversitar me fokus tek përditësimi kurrikular, përdorimi i teknologjisë dhe inteligjencës artificiale në mësimdhënie”.
Kumbaro bëri të ditur se Programi i Zhvillimit Profesional të Mësuesve, i financuar nga Ministria e Arsimit, do të realizohet nga Agjencia e Sigurimit të Cilësisë së Arsimit Parauniversitar në bashkëpunim me pedagogë dhe profesorë në 9 universitete dhe synon të përmirësojë cilësinë e mësimdhënies dhe mësimnxënies.
Pedagogët dhe profesorët me ekspertizën e tyre po japin një mbështetje të vazhdueshme dhe të personalizuar për mësuesit, duke garantuar një zhvillim profesional cilësor dhe të orientuar drejt praktikës.
Programi Kombëtar i Zhvillimit Profesional të Mësuesve (PKZHPM) 2026–2028 është një
përgjigje strategjike ndaj nevojave aktuale të sistemit arsimor, të identifikuara përmes
analizave të thelluara të ndryshimeve kurrikulare, të rezultateve të analizës së nevojave të
mësuesve dhe të sfidave që lidhen me zbatimin e programeve të rishikuara në të gjitha lëndët.
Ky program vendos në qendër rritjen profesionale të mësuesve si mjet për përmirësimin e
cilësisë së mësimdhënies dhe për forcimin e ndikimit të tyre në rezultatet e të nxënit të çdo
nxënësi.
Përveç përmirësimit të njohurive dhe praktikave mësimore në fushat kurrikulare, zhvillimi
profesional i mësuesve përfshin me prioritet edhe përdorimin e teknologjisë dhe inteligjencës artificiale për zhvillimin e praktikave shkollore, komponentët etikë, socialë dhe gjithëpërfshirës të profesionit të mësuesit. Integrimi i teknologjisë dhe inteligjencës artificiale në shkollë hap një horizont të ri mundësish për të nxitur suksesin e çdo nxënësi.
/k.s/ /a.g/