Ndahet nga jeta në moshën 79-vjeçare diplomati Shaban Murati

TIRANË, 14 shkurt /ATSH/ Diplomati shqiptar Shaban Murati është ndarë mëngjesin e sotëm nga jeta në moshën 79-vjeçare.
I lindur më 2 shtator 1945, Murati ishte një figurë e spikatur në diplomacinë dhe publicistikën shqiptare, duke kontribuar ndjeshëm në zhvillimin e politikës së jashtme të vendit.
Gjatë karrierës së tij të gjatë diplomatike, Shaban Murati shërbeu si ambasador i Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, Suedi, Norvegji, Finlandë dhe Islandë.
Ai ishte gjithashtu drejtues i Akademisë Diplomatike të Republikës së Shqipërisë, duke luajtur një rol kyç në formimin e brezave të rinj të diplomatëve shqiptarë.
Përveç angazhimeve diplomatike, Shaban Murati ishte një autor i njohur, duke publikuar një sërë librash dhe analizash mbi çështjet e Ballkanit, diplomacinë dhe marrëdhëniet ndërkombëtare. Ndër veprat e tij më të spikatura janë “Serbia kundër Serbisë: analizë e një gjysmërevolucioni të lënë përgjysmë” (2004), “Enigmat diplomatike të pavarësisë së Kosovës: fletë nga ditari i një ambasadori” (2007) dhe “Vetëvrasja diplomatike e Shqipërisë dhe Kosovës” (2021).
Kontributet e tij në fushën e diplomacisë dhe publicistikës janë vlerësuar gjerësisht, duke u cilësuar si një zë unik kombëtar dhe një personalitet poliedrik me kulturë të gjerë në fusha të ndryshme. Shaban Murati do të mbahet mend si një diplomat i përkushtuar, studiues i palodhur dhe mbrojtës i interesave kombëtare shqiptare.
Humbja e tij lë një boshllëk të madh në diplomacinë dhe kulturën shqiptare.
Tabaku: Diplomat i shquar dhe akademik i rrallë
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku ndërsa ndau lajmin e ndarjes nga jeta të Shaban Muratit, e cilësoi atë diplomat të shquar dhe akademik të rrallë.
“Jeta dhe vepra e tij ishin një testament i patriotizmit të vërtetë dhe përkushtimit ndaj Shqipërisë dhe shqiptarizmit. Me mendimin e tij të thellë dhe analizën e mprehtë, ai la pas një trashëgimi të çmuar për brezat e ardhshëm”, u shpreh Tabaku.
“U prehsh në paqe! Puna dhe kontributi yt do të mbeten një udhërrëfyes për të gjithë ata që duan ta shohin Shqipërinë ashtu siç ti e ëndërrove”, përfundoi Tabaku duke i përcjellë ngushëllime familjes.
Açka: Sa e deshi ai Shqipërinë, e ka të gdhendur në veprat e tij
Deputetja Flutura Açka shprehu trishtimin për ndarjen nga jeta të diplomatit dhe akademikut Shaban Murati, ndërsa ndau në rrjetet sociale foto me të.
“Këtë mëngjes të hidhur u nis për shtegtimin e fundit diplomati, publicisti dhe njeriu i rrallë, Shaban Murati”, shkruaj ajo.
“Sa e deshi ai Shqipërinë, e ka të gdhendur në veprat e tij të shumta dhe të rralla të lloji të tyre, të cilat janë dhe do të mbeten referenca të forta të debateve mbi identitetin shqiptar, gjeopolitikën, marrëdhëniet ndërkombëtare, europiane dhe rajonale”, u shpreh Açka.
“Është tronditëse për mua të pranoj që nuk do ta takoj më një mik kaq të vyer. Për shumë nga qëndrimet e mia publike, këshilla dhe meraku i tij ka qenë përtej së zakonshmes. Mirënjohja për praninë e tij në rrethin e njerëzve më të dashur të jetës sime, do të jetë deri në fund të jetës sime!” përfundon Açka duke shprehur ngushëllime për familjen. /j.p/