Gjendja gjyqësore e Veliajt, Drejtoria e Burgjeve: I padënuar, tre vendime pafajësie ndaj tij

TIRANË, 14 shkurt/ATSH/ Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve i është përgjigjur me një shkresë kërkesës së Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për gjendjen gjyqësore të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.
Në shkresën e bërë publike edhe për mediet, thuhet se “në përgjigje të interesimit të medieve, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve bën me dije se, në përgjigje të kërkesës së Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, me shkresën nr. 2215/prot., datë 12.02.2025, ka përcjellë vërtetimin e gjendjes gjyqësore për shtetasin E. V., i biri i L. dhe Sh., lindur më 17.12.1979.
Pas verifikimeve në Regjistrin e Gjendjes Gjyqësore, ai rezulton i padënuar dhe ndaj tij janë dhënë tre vendime pafajësie”, cilësohet në shkresë.
“Sqarojmë se, në rastet kur kërkohet vërtetimi me historik, përfshihen edhe të dhënat mbi vendimet e mëparshme, përfshirë pafajësitë apo vendimet e rehabilitimit, në përputhje me legjislacionin në fuqi”, vijon shkresa.
Kujtojmë që sot, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar sqaroi gjendjen gjyqësore të kryetarit të bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, ku në dosjen e SPAK ishte shkruar i “dënuar”.
Nëpërmjet një njoftimi për mediet, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar sqaron se në kërkesën për “caktimin e masës shtrënguese të sigurimit personal”, drejtuar Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për shtetasin nën hetim E.V, Prokuroria e Posaçme nuk i është referuar për asnjë moment gjendjes së tij gjyqësore.
“Si pjesë e akteve të depozituara pranë Gjykatës së Posaçme është edhe një certifikatë elektronike e gjendjes gjyqësore me nr. prot. 5488 datë 23.01.2025, e gjeneruar nga sistemi i Drejtorisë së Përgjithshëm të Burgjeve, ku organi procedues ka akses. Kjo certifikatë, në brendësi të saj përmban informacionin se shtetasi E.V, i biri i L. dhe Sh. lindur më 17.12.1979 në Tiranë, rezulton “I dënuar””, njofton SPAK.
Sipas SPAK në “lidhje me këtë certifikatë, Prokuroria e Posaçme i ka kërkuar informacion Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve në lidhje me veprat penale si edhe vendimet gjyqësore, të cilat lidhen me certifikatën elektronike që është gjeneruar”.
/a.f/r.e/