E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndahet nga jeta studiuesi i letërsisë shqipe, Ali Xhiku

TIRANË, 1 korrik/ATSH/ U nda nga jeta në moshën 83-vjeçare studiuesi i letërsisë shqipe Ali Xhiku.

Pedagogu dhe studiuesi i letërsisë shqipe, Ali Xhiku la pas një trashëgimi të pasur në fushën e kritikës dhe historiografisë letrare. Për dekada ai shërbeu me përkushtim në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë, ku mbajti edhe detyrat e zëvendësdekanit dhe më pas të dekanit, duke formuar breza studentësh dhe duke ndikuar në mënyrën se si u lexua dhe u interpretua letërsia shqipe.

Vitin e kaluar, profesori u nderua me çmimin “Autori i librit më të mirë studimor” në Panairin e 28-të të Librit për veprën “Faqeve të historiografisë shqiptare” (Onufri), një studim me rëndësi për teorinë dhe metodologjinë e historisë së letërsisë shqipe.
Ndër veprat e tjera të tij janë: “Letërsia shqipe si polifoni”, “Duke lexuar letërsinë e traditës”, “Nga romantizmi drejt rrjedhave të realizmit”, “Përmes mendimit historiko-letrar të Çabejt” (1999), “Sprovë për një tjetër histori të letërsisë shqipe”, etj.

Prof. Ali Xhiku ka mbajtur edhe detyrën e drejtorit të Institutit të Kulturës Popullore pranë Akademisë së Shkencave. Ai ka theksuar se historiografia letrare duhet të ndërtohet mbi bazën e teksteve dhe zhvillimeve reale, jo mbi imponime ideologjike. Përmes qasjes krahasimtare dhe metodës kritiko-materialiste, Xhiku ka sjellë një perspektivë të re, duke e vendosur letërsinë shqiptare në dialog me traditat evropiane dhe duke nxjerrë në pah kufizimet e saj historike.

/j.p/r.e/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›