E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndaleni hipokrizinë në drejtësi

Fatos Mahmutaj

Dje, të mërkurën, ndodhesha te Gjykata e Tiranës ku po prisja të pyetesha si dëshmitar në gjyqin për 21 janarin. Në fakt aty isha edhe gjatë dy seancave të mëparshme: Në të njëjtin vend, në korridor të gjykatës duke pritur që të dëgjoja emrin kur të ma thërrisnin. Nga të qëndruarit shumë në këmbë, po më bezdiste shumë, më falni shprehjen, urinimi. Kështu që shkova në tualet për të mbaruar punë dhe kur u ktheva më thanë që një polic i ngarkuar nga gjykata vetëm për të lajmëruar dëshmitarët më kishte kërkuar nëpër korridor dhe nuk më kishte gjetur.
Sinqerisht më kuptoni sa shumë u shokova nga ky fat i keq. As vetë nuk arrij ta kuptoj këtë sesi ndodhi, por ja që është e vërtetë. E njëjta gjë më ka ndodhur edhe dy herët e tjera. Më thanë më pas që gjykata ka vendosur se duhet të më gjejë policia dhe të më sjellë në gjyq për të dëshmuar.
Tani që kreu i ri i sistemit të drejtësisë u bë një kamikaz i Saliut, drejtësia do tia dalë mbanë kësaj dosjeje, të cilën pres ta gjykojë me zell të paparë. Po, po më besoni. Tani, ne të plagosurit dhe familjarët e katër të vrarëve presim që të shohim të kryqëzuar ata që na masakruan më 21 janar. Po kështu shpresojmë që drejtësia do i japë fund punës së Sali Berishës dhe Lulzim Bashës si dy urdhëruesit e masakrës.
Ehhh sa mirë që do të ishte kështu! Sa shumë ëndërroj edhe unë! Ndaj po ulem me këmbë në tokë. Unë prej 16 muajsh jetoj në Bruksel. Por edhe sikur të mos ekzistonte fakti i njohur botërisht, si dhe dhjetëra publikimet e mia mediatike me shkrim, audio dhe video, 99% e njerëzve të drejtësisë së kryeqytetit më njohin personalisht. Këta e dinë shumë mirë që unë jetoj në Bruksel. Kjo gjë është përmendur edhe ne raportin më të fundit të DASH-it. (Besoj njerëzit e drejtësisë duhet ta lexojnë ndonjëherë këtë pasi aty flitet gjithmonë për punën e tyre). Pasi solla këto fakte, kam një pyetje për zotërinjtë e drejtësisë. Edhe sa kohë do të çojnë polic mavrinë të më kërkojë në korridorin e gjykatës për të më marrë dëshminë? Si përfundim kam edhe një sugjerim: Jepini fund hipokrizisë dhe talljes me viktimat pasi, siç jeni ju sot isha unë dje. Dhe siç jam unë sot do të jeni ju nesër!

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›