Ndalet flotilja me ndihma për Gazën, Izraeli arreston aktivistë, qeveria italiane kërkon lirim e menjëhershëm të tyre

Forcat izraelite kanë ndaluar në ujëra ndërkombëtare pranë Kretës të paktën 22 anije me ndihma humanitare. Organizatorët e “Global Sumud Flotilla” e kanë cilësuar këtë ndërhyrje si një akt piraterie, pasi anijet u ndaluan rreth 1 mijë kilometra larg Gazës.
“Kjo është një provë se Izraeli vepron me pandëshkueshmëri të plotë jashtë kufijve të tij”, deklaruan përmes një shkrese zyrtare drejtuesit e këtij marshimi detar. Nga ana tjetër, Ministria e Jashtme e Izraelit thotë se po transporton drejt porteve të saj 175 aktivistët e ndaluar, duke i quajtur ata agjitatorë që kërkojnë vëmendje mediatike.
Situata është rënduar akoma më shumë pas reagimit të kryeministres italiane Giorgia Meloni, e cila kërkoi lirimin e menjëhershëm të shtetasve të saj. “Qeveria jonë kërkon respektimin e ligjit ndërkombëtar dhe garantimin e sigurisë për të gjithë personat që ndodhen në bord”, thuhet në reagimin zyrtar të Romës. Ky qëndrim tregon një krisje të re mes dy vendeve, pasi Italia së fundmi ka pezulluar edhe marrëveshjet e mbrojtjes me Tel Avivin.
Flotilja ishte nisur dy javë më parë nga Spanja, Franca dhe Italia, me synimin e qartë për të thyer bllokadën e hekurt ndaj enklavës palestineze. Aktualisht dhjetëra anije të tjera vijojnë të qëndrojnë në jugperëndim të Kretës, ndërsa fati i ndihmave mbetet i pasigurt në duart e ushtrisë izraelite. Kjo nuk është hera e parë që ndodhin përplasje të tilla, pasi vitin e kaluar forcat izraelite arrestuan qindra aktivistë, mes të cilëve edhe Greta Thunberg.
Gazetar: A. Mata
/rtsh.al/