E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndalohet gjuetia e koranit, peshku i rrallë i liqenit të Ohrit në periudhë shumimi

Ndalohet gjuetia e koranit në liqenin e Ohrit pasi kjo është periudha e shumimit të kësaj specie të rrallë. Sipas Martin Jaçellarit nga Organizata e Peshkimit në Pogradec, ndryshe nga vitet e kaluara, këtë vit rastet e paligjshmërisë në liqen janë minimizuar ndjeshëm.

Nëse vitin e kaluar janë sekuestruar rrjeta dhe varka peshkimi, këtë vit deri tani kemi vetëm një rast të gjuetisë së paligjshme.

Sipas tij kjo ka ardhur për shkak të ashpërsimit të kuadrit ligjor për të gjithë ata peshkatarë që kërkojnë të peshkojnë në këtë periudhë kur gjuetia është e ndaluar.

“Janë marrë masa për ndalimin e gjuetisë, totalisht kjo për arsye se korani  bën riprodhimin e vet. Nëse dikush kapet në gjueti të paligjshme i sekuestrohen mjetet e peshkimit dhe më pas shkon në gjobë”, tha Jaçellari.     

Ndalimi i gjuetisë ka sjellë gjithashtu mungesë të koranit të freskët në treg përfshi këtu edhe restorantet.

Gjatë kësaj periudhe, rreth 70 peshkatarë janë të lejuar të peshkojnë me qëllim grumbullimin e vezëve të koranit ndërkohë që peshku pas marrjes së vezëve lëshohet në ujërat e liqenit. Gjuetia e koranit është e ndaluar deri në fund të janarit.

Gazetare: K. Koçi

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›