Programi i vetëpunësimit 2025, 50 punëkërkues nga Shkodra përfituan grante deri në 1 milion lekë

Projektet e bizneseve të 50 punëkërkuesve të papunë nga qarku i Shkodrës do të financohen nga qeveria me fonde deri në 1 milion lekë, në kuadër të Programit të Vetëpunësimit 2025.
Për grantet e këtij viti, në nivel qarku kanë aplikuar 104 punëkërkues, shumica prej tyre të rinj. Projektet e shpallura fituese nga Agjencia Kombëtare e Punësimit përfshijnë drejtime të ndryshme aktivitetesh, nga shërbimet dhe tregtia, te artizanati dhe prodhimi i vogël.
Përfituesit e granteve, të cilët pritet të nisin menjëherë zbatimin e projekteve të tyre, shprehen entuziastë për mbështetjen financiare të ofruar, duke e konsideruar atë një mundësi reale për krijimin e një burimi të qëndrueshëm të ardhurash
Ky është viti i pestë i zbatimit të Programit të Vetëpunësimit, nga i cili deri më tani kanë përfituar 158 punëkërkues të papunë nga qarku i Shkodrës.
Programi synon nxitjen e sipërmarrjeve të reja, veçanërisht atyre të drejtuara nga të rinjtë dhe gratë, duke kontribuar në punësim të qëndrueshëm dhe zhvillim profesional në tregun local
Gazetar: A. Hoti
/rtsh.al/