Ndalohet libri për Gandin
Një shtet në perëndim të Indisë e ka ndaluar librin e ri të autorit fitues të çmimit Pulitzer, Joseph Lelyveld rreth Mahatma Gandit, pas disa recensioneve që thonë se libri lë të kuptohet se babai i pavarësisë së Indisë ka pasur marrëdhënie homoseksuale.
Më shumë ndalesa janë propozuar në Indi, ku homoseksualiteti ka qenë ilegal deri në vitin 2009 dhe ende bartë njollë shoqërore. Asambleja e shtetit të Gujarat-it ka votuar, në mënyrë unanime, të mërkurën, për ta ndaluar menjëherë librin “Great Soul: Mahatma Gandhi and His Struggle With India.”
Tërbimi është ndezur nga raportimet e mediave lokale, të bazuara në recensionet e bëra në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretërinë e Bashkuar, disa prej të cilave e kanë vënë theksin mbi paragrafë të librit që sugjerojnë se Gandi ka pasur një marrëdhënie intime me një burrë gjerman të quajtur Hermann Kallenbach.
Libri ende nuk është botuar në Indi, prandaj vetëm disa tashmë i kanë lexuar shkrimet e Lelyveld-it.
Lelyveld ka thënë se vepra e tij është nxjerrë nga konteksti. “Unë nuk pretendoj se Gandi është racist apo biseksual në librin ‘Great Soul’, ka thënë Lelyveld për Times of India. “Fjala ‘biseksual’ nuk paraqitet askund në libër’.
Akoma, disa recensione të mëhershme të librit kanë detajizuar disa pjesë të tij mbi marrëdhënien e Gandit me Kallenbach.
Duke shkruar në Wall Street Journal, Andrew Roberts ka thënë se portreti i vetëm në sergjen mbi oxhak përballë shtratit të Gandit ka qenë ai i Kallenbach.
“Sa herë e ke pushtuar tërësisht trupin tim”, shkruan në një letër mjaft të cituar që Gandi i ka dërguar Kallenbach. “Kjo është skllavëri me hak”.
Daily Mail e Britanisë ka lëshuar një artikull nën titullin gjëmues: “Gandi ‘e ka braktisur gruan për të jetuar me një dashnor’ pohon libri i ri”.
The Mumbai Mirror, të martën, ka lëshuar një artikull në ballinë nën titullin “Libri pohon se gjermani ka qenë dashnor sekret i Gandit”, në të cilin janë cituar paragrafë të njëjtë.
Politikanët në shtetin e Maharashtra, vendi i kryeqytetit financiar të Indisë Mumbai, gjithashtu kanë bërë thirrje për ndalim të librit dhe kanë kërkuar nga qeveria qendrore për ta ndaluar botimin në tërë vendin.
“Është bërë modë nxirja e imazhit të liderëve të mëdhenj indianë për marketing dhe shitje të librave”, ka thënë Sanjay Dutt, zëdhënës i Partisë së Kongresit, e cila udhëheq në Maharashtra. “Qeveria duhet të bëjë thirrje për një ligj që ndëshkojë ashpër çdokënd që e nxinë imazhin e babait të kombit”.
Ranjit Hoskote, shkrimtar dhe sekretar i përgjithshëm i PEN-it indian, që lufton për shprehje të lirë, e ka dënuar ndalimin dhe ka thënë se mediat lokale i kanë keqinterpretuar të dyja, edhe synimet e Lelyveld-it si dhe natyrën e marrëdhënies së Gandit me Kallenbach.
“Nuk mund të citosh një shembull më të keq të reportazhit dhe komentit të dorës së tretë”, ka thënë ai. “Si mund ta ndalosh një libër që nuk e ke lexuar?”
Ai ka thënë se korrespodenca e Gandit me Kallenbach ka qenë në dispozicion në arkivat e bibliotekave për disa dekada. “Nuk ka ndonjë fshehtësi. Nuk ka ndonjë skandal”, ka thënë ai. (The Associated Press)