E Shtunë, 31 Tetor 2026

Libri i Tërmeteve

Nga Express më 01 prill 2011 në ora 17:30

Menjëherë pas tërmetit të 11 marsit, një person, që në rrjetin social Twitter u prezantua vetëm si @ OurManInAbiko, publikoi një ide - që fillimisht dukej axhamillëk. Doli se nuk ishte e tillë.

Ideja e tij ishte që t’i bënte bashkë në një libër përvojat e njerëzve për tërmete, dhe ta publikojë pastaj atë, ndërsa të ardhurat nga shitja e çdo t’ia dedikojë përpjekjeve për dhënien e ndihmës për të goditurit nga tërmeti dhe tsunami, në pjesën veriore të Japonisë.

Bota iu përgjigj me pasion temës. Brenda vetëm një jave, ai mblodhi një numër të madh të aplikimeve, madje edhe përkrahjen e një numri të personave të famshëm. Ndihmën për redaktimin e shkrimeve të pranuara ia ofruan njerëz të ndryshëm, të përkushtuar dhe me përvojë. Megjithëse, e tërë përpjekja dhe vizioni që e mundësoi jetësimin e idesë ishte kryesisht i tij – edhe pse e pranon edhe mbështetjen e plotë të gruas dhe familjes. E, me t’u nisur, ideja e realizua vërtet shpejt. Brenda dy javësh ai mblodhi të gjitha shkresat dhe filloi procesin e redaktimit të tyre përfundimtar.

“Më pak se tri javë pas ngjarjeve të tmerrshme, kam kënaqësinë të njoftoj se libri do të botohet së shpejti, fillimisht online, e pastaj edhe me një version të shtypur”, njoftoi@ OurManInAbiko në postimin e tij të fundit.

Sikurse edhe premtoi, të gjitha të ardhurat nga shitja e librit të shkojnë në Kryqin e Kuq, për ofrimin e ndihmës për të prekurit nga tërmeti dhe tsunami.

Titulli i librit është “02:46: Aftershocks: Stories from the Japan Earthquake” (Tronditjet pas orës 2:46: Rrëfimet e Tërmetit në Japoni), dhe libri tashmë është në qendër të vëmendjes së mediave. Është përmendur edhe në shumë gazeta të Azisë, përfshirë këtu botimin e një pjese të tij ‘Japan Times’, por edhe në gazetat amerikane ‘The Wall Street Journal’ dhe ‘The Huffington Post’. Meqë ka një qëllim fisnik, pritet të shitet në miliona ekzemplarë.

“Rrjetet Sociale janë diçka e mahnitshme. E di që po them asgjë që s’dihet tashmë, por mendoj se ia vlen të ritheksohet.

Më korrigjoni nëse gaboj, por mendoj se sociologja e njohur, Margaret Mead, pat thënë: ‘Kurrë mos dyshoni që një grup i vogël njerëzish të përkushtuar mund të ndryshojë botën. Në fakt, kështu ka qenë gjithmonë’”, theksoi ai.

Dhe vërtet, Japonia është bërë më e fortë pikërisht për shkak të ekzistencës së këtij grupi dhe të këtij libri. E meriton jo vetëm të blihet, por edhe t’iu tregohet miqve për të.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›