E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Ndalohet një nga organizatorët e kontrabandimit të 670 mijë litrave naftë nga Tunizia

TIRANË, 26 janar/ATSH/ Policia e Durrësit ndaloi njërin nga organizatorët e kontrabandimit nga Tunizia, të 670 000 litrave naftë.

Policia njoftoi se në kuadër të operacionit “Ari i zi”, zhvilluar në portin e Durrësit në fillim të këitj muaji, u ndalua shtetasi i shpallur në kërkim, E. S., 59 vjeç, banues në Durrës.

Ky shtetas u ndalua nga specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të DVP Durrës, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë Kufitare të Morinës, në hyrje të Republikës së Shqipërisë.

59-vjeçari dyshohet se në bashkëpunim me shtetasin F. B. (aktualisht në kërkim), ka organizuar kontrabandimin me anije, nga Tunizia, të 670 000 litrave naftë, nëpërmjet fshehjes së sasisë, në balastrat që shërbejnë për balancimin e mjetit lundrues.

Gjatë operacionit “Ari i zi”, u arrestuan në flagrancë 3 shtetas dhe u proceduan në gjendje të lirë 5 persona, të gjithë pjesëtarë të ekuipazhit të anijes.

/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›