Ndarja e mandateve te deputeteve ne Kuvend

Socialistët e konsiderojnë si antiligjore diskutimin në Komisionin e Ligjeve të rishpërndarjes së mandateve për deputetë, për zgjedhjet e 23 qershorit. Një qëndrim i tillë u bë i ditur nga nënkryetari i Komisionit të Ligjeve, deputeti i PS-së, Fatmir Xhafaj.
Për opozitën, është Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, institucioni përgjegjës për mandatet. Vetëm pasi të merret një vendim në KQZ, nënvizoi Xhafaj, atëherë mund të vihet në lëvizje Kuvendi.
Mazhoranca mbështet propozimin, që rrjedh nga lëvizjet demografike, sipas të cilin dy mandate i hiqen Qarkut Berat dhe Korçë, duke iu shtuar Qarkut Tiranë dhe Durrës, ndërkohë që mandatet në Kukës, nuk ndryshojnë. Opozita, oponencën e saj, e mbështet në dyshimet mbi rritjen e numrit të popullsisë në Qarkun e Kukësit.