Ndarja nga jeta e Aliaj, Topi mesazh ngushëllimi familjarëve
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, nëpërmjet një mesazhi të bërë publik u ka shprehur ngushëllimet familjarëve për ndarjen nga jeta të njeriut të tyre të dashur, koreografit të shquar dhe ish-udhëheqësit artistik të Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, Agron Aliaj.
“Në këto momente tepër të vështira për ju, më lejoni të jem pranë jush për të ndarë këtë dhimbje të thellë dhe t`ju shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta për humbjen e njeriut tuaj të shtrenjtë e të pazëvendësueshëm! Me këtë rast dëshiroj të shpreh njëkohësisht konsideratën më të lartë personale dhe institucionale për profilin e lartë profesional, por dhe njerëzor, të profesorit të pasionuar të baletit dhe babait e bashkëshortit shembullor!
Në kujtesën e të gjithë artdashësve shqiptarë, të atyre që për dekada të tëra ndoqën, vlerësuan dhe duartrokitën veprat koreografike, që me përkushtim të madh u vunë në skenat shqiptare e të huaja nga baletmaestri Aliaj, do të mbeten përherë të skalitura në mendjet e shqiptarëve dhe do të jenë shembull i papërsëritshëm i çuarjes përpara të profesionit të vështirë e të bukur të baletit nga brezat e ardhshëm.
Më lejoni dhe njëherë të shpreh ngushëllimet më të ndjera për familjarët, miqtë e kolegët e të ndjerit Agron Aliaj! I përjetshëm qoftë kujtimi i tij!"- theksohet në mesazhin e Presidentit Topi. jedisore.
Ikona e koreografisë shqiptare Agron Aliaj është ndarë nga jeta mëngjesin e sotëm. Pas 2 muajsh vuajtje në spital maestro Aliaj ka pushuar së jetuari në orën 8.30 të mëngjesit duke lënë hapat e pafundë të krijuara si lëvizje koerografike për qindra balerinë shqiptarë.