Ndarja nga jeta e Artur Zhejit, Kurti: Një intelektual dhe patriot i emancipuar

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka shprehur ngushëllimet e tij për ndarjen nga jeta të gazetarit, analistit dhe publicistit Artur Zheji, i cili ndërroi jetë një ditë më parë në moshën 64-vjeçare.
Në mesazhin e tij, Kurti e cilëson Zhejin si një personalitet të spikatur të medias shqiptare, i cili dallohej për seriozitetin intelektual.
“Artur Zheji, personalitet i medias së shkruar e asaj televizive, është ndarë prej nesh në moshën 64-vjeçare. I kujtoj bashkëbisedimet me të, para apo pas kamerave, sepse të rrallë kanë qenë dhe janë gazetarët që, përtej lajmit të ditës, angazhohen e thellohen me seriozitet intelektual te çështjet me të cilat ballafaqohen. I tillë ishte Artur Zheji, fjala e të cilit nuk thuhej për t’u harruar të nesërmen”, shkruan Kurti.
Kurti kujtoi edhe trashëgiminë familjare të Zhejit, duke thënë se ai ishte një patriot i emancipuar dhe një dokumentues që ndihmoi të ndërkombëtarizohej çështja e Kosovës.
“I ati i lindur në Gjirokastër, intelektuali erudit dhe përkthyesi eklektik Petro Zheji. E ëma e lindur në Gjakovë, aktorja e shquar e Teatrit Kombëtar në Tiranë dhe e Kinostudios “Shqipëria e Re”, Besa Imami.
Duke ardhur prej një familje të tillë, është e kuptueshme pse Artur Zheji nuk mund të ishte i përciptë në trajtimin e Kosovës dhe më gjerësisht shqiptarëve në rajon. Ai ishte jo thjesht një reporter i luftës, por një gazetar aktivist, një patriot i emancipuar, një dokumentues i angazhuar, që ndihmoi të ndërkombëtarizohej çështja jonë e të rritej jehona e kërkesës sonë të drejtë për liri.
Familjes, të afërmve, kolegëve, bashkëpunëtorëve dhe publikut të Petro Zhejit, u shpreh ngushëllimet e mia të sinqerta për këtë humbje të madhe”, theksoi Kurti.
/rtsh.al/