Ndarja nga jeta e Kadaresë, studiuesi Gjoka: Shprehu mendimin e tij edhe kur diktatura nuk ia lejonte

I cilësuar shpesh si “magjistar i fjalës” dhe përkrahësi i letërsisë bashkëkohore, Kadare është shkrimtari që njohu botën me dhunën e diktaturës dhe se veprat e tij janë dëshmi e atij regjimi të egër.
Studiuesi Behar Gjoka në një intervistë për RTSH24 tha se mes rreshtave të veprave të Kadaresë është pikërisht shprehja e lirisë së tij të fjalës në një kohë kur koha nuk ia lejonte.
Gjoka tha se Kadare ka gjurmë të madhe në prozë përmes veprave si “Kronikë në gurë”, “Kështjella”, “Pallati i Ëndrrave”, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” duke bërë që letërsia shqiptare të njihej në të gjithë botën.
“Ai ishte një shkrimtar që vinte nga një kohë shumë e vështirë për të lejuar lirinë e fjalës dhe mendimit. Atë e bëri të veçantë me stilin dhe gjithçka që kemi sot të trashëguar prej tij janë pikërisht mënyra për të thënë atë që mendonte edhe kur koha nuk ia lejonte. Gjurma e lënë në prozë shkrim është më kualitative për Kadarenë. Ishte pikërisht gjurma në prozat si “Kronikë në gurë”, “Kështjella”, “Pallati i Ëndrrave”, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” që e njohu atë përtej letërsisë shqiptare.
Në vargjet e tij ndërtohet nga një anë lirizmi dhe nga ana tjetër përpjekje për bashkëkohoren. Nëse në poezi ka të përafërt Fatos Arapin, Dritëro Agollin, në prozë jemi në një situatë që ka zgjuar vëmendjen ndaj leximeve dhe mendimit kritik botëror që kemi të bëjmë me një realit që duhet zbuluar atë që fsheh nënteksti. Ai kishte në shkrim letrar shumë të kujdesshëm dhe të vëmendshme si para 90 si pas 90. I gjetur në atë betejën me diktaturën mes Kadaresë dhe diktatura kishin një luftë të pashpallur si macja me miun. Diktatura ra dhe veprat e Kadaresë është provë e shëmtisë që përfaqësonte diktatura. Kujtesa nuk duhet të na lërë dhe të harrojmë se çfarë ndodh pasi ajo mund të përsëritet në një formë krejt tjetër.
Shkrimtari më i lexuar, më i përkthyer dhe më i vlerësuar është Kadareja dhe jemi përballë një shkrimtari që eksperimentin e ka që në zanafillë. Ka ardhur momenti emocional të heshtim se jemi në një moment shpirtëror dhe të afërmit do të duan ta përjetojnë largimin sa më qetë. Është fati i artistëve se në momentin që iu ndërpritet jeta fillon një komunikim i plotë me veprën e tij”, tha Gjoka.
Duke e konsideruar mjeshtër të fjalës, studiuesi tha se Kadare dhe diktatura ishin shpesh në një betejë si “macja me miun”. Sipas tij Kadare ishte një udhëheqje shpirtërore për kombin në këtë periudhë.
“Ai ishte një mjeshtër i fjalës bëri kryevepra por edhe kompromise pasi të kuptojmë se nuk ishte e lehtë të botoje para ’90 duke krijuare dhe betejën “macja me miun”.
Kadareja jetoi në një kohë të veçantë dhe kjo lidhet me pakujdesjen maksimale për fatinë kombit dhe Kosovës duke krijuar një udhëheqje shpirtërore të kombit me verat si “Kështjella”, apo “Dimri i vetmisë së madhe”, jemi në përçimin e një beteje të asaj kohe sa ideologjike dhe historike. Ishte si një prani shpirtërore e domosdoshme.
Lexuesi i Kadaresë është e pamundur të hyjë në atë betejën “dashuri-urrejtje” ndonëse reagimet emocione nuk kanë të bëjnë me veprën e Kadaresë. Kemi një ndarje fizike të Kadaresë, por vepra e tij me mister e magji është e pavdekshme duke e mbajtur atë në kujtesë”, tha Gjoka.
Mjeshtri dhe kolosi i letrave shqiptare, Ismail Kadare u nda nga jeta mëngjesin e 1 korrikut në moshën 88-vjeçare. Në nder të tij qeveria ka shpallur dy ditë zie kombëtare, 2 dhe 3 korrikun.
/rtsh.al/