Ndarja nga jeta e ish-deputetit Bogdani, PD anulon të gjitha aktivitetet

TIRANË, 18 shtator/ATSH/ Në nderim të figurës së ish-deputetit Gert Bogdani, Partia Demokratike ka shpallur ditë zie të enjten e 19 shtatorit.
Të gjitha aktivitetet e Partisë Demokratike në datat 18 dhe 19 shtator në të gjithë territorin do të anulohen.
Në të gjitha selitë e Partisë Demokratike flamuri kombëtar dhe flamuri i PD do të ulen në gjysmështizë dhe në orën 12.00 do të mbahet një minutë heshtje në të gjitha selitë e Partisë Demokratike.
Homazhet për Gerti Bogdanin, ish-deputetin demokrat që u nda nga jeta mesditën e së mërkurës nga një arrest kardiak në moshën 44-vjeçare, do të mbahen paraditen e së enjtes në sallën e seancave plenare në Kuvend.
Gerti Bograni rreth orës 11:30 të ditës së sotme është ndjerë keq teksa ishte duke qëndruar në barin e një hoteli në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në kryeqytet.
Ish-deputeti është transportuar në spital për ndihmë mjekësore, por nuk ia doli dot.
Politikanë të të gjitha forcave politike në vend shprehën ngushëllime për ndarjen e parakohshme të tij nga jeta.