E Enjte, 5 Nëntor 2026

LIBAN – Qeveria përgatitet për skenarë të mundshëm lufte me Izraelin

BEJRUT, 18 shtator /ATSH-DPA/- Kryeministri i përkohshëm libanez, Najib Mikati zhvilloi sot një takim me Komitetin për Menaxhimin e Fatkeqësive dhe Krizave ku diskutoi “skenarët e mundshëm” në rast të sulmeve të zgjatura izraelite.

Takimi erdhi një ditë pasi pajisjet e telekomunikacionit të dorës të Hezbollahut shpërthyen në të gjithë Libanin, në një operacion që fajësohet Izraeli, i cili vrau të paktën 12 njerëz dhe plagosi rreth 2 800 të tjerë.

Ministri i Mjedisit Nasser Yassin, i cili drejton komitetin, theksoi se autoritetet po përpiqen të sigurojnë strehimore të mjaftueshme dhe se janë rreth 100 shkolla që mund të sigurohen nga Ministria e Arsimit.

“Rezervat ushqimore janë të mjaftueshme për më shumë se tre muaj – dhe një anije me 40,000 tonë drithëra dhe miell pritet të mbërrijë në Liban”, tha Yassin.

Ai shtoi se 50 000 racione ushqimore, të ofruara nga palë të treta, përfshirë Programin Botëror të Ushqimit, mund të shpërndahen për njerëzit e zhvendosur.

“Ne diskutuam gjithashtu logjistikën e nevojshme për të siguruar funksionimin e Komitetit për Menaxhimin e Fatkeqësive dhe Krizave, duke përfshirë komunikimet, rrugët, transportin dhe dhomat e emergjencës dhe krizave”, shtoi Yassin. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›