Ndarja nga jeta e poetit Doçi, Reagon politika: Do të jetojë në këngët, të cilave u dha jetë

TIRANË, 24 qershor/ATSH/ Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, tha sot se poeti Agim Doçi, i cili u nda nga jeta mëngjesin e të hënës, do të jetojë në këngët, të cilave u dha jetë.
Nikolla, duke shprehur keqardhjen e saj për ndarjen nga jeta të poetit të mijëra këngëve, theksoi se ai do të vazhdojë të jetojë përmes poezive që krijoi.
“Zemra e Agim Doçit, poetit të talentuar, autorit të teksteve të mijëra këngëve, të qindra këngëve për Kosovën, të dhjetra çmimeve të fituara në festivale, që i këndoi pa pushim jetës, atdheut, lirisë, dashurisë dhe njerëzve, pushoi së rrahuri. Por artisti i poezisë do të jetojë në këngët, të cilave u dha jetë. U prehsh në paqe, Mjeshtër!” është mesazhi i Kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla.
Edhe kryetari i demokratëve euroatlantistë, Lulzim Basha ka shprehur ngushëllimet për largimin e parakohshëm nga jeta të poetit të muzikës, Agim Doçi.
Me anë të një postimi në rrjetet sociale, Basha shkruan se Doçi ishte një personalitet i apasionuar, një shpirt i pasur dhe një tekstshkrues këngësh brilante, shembull i artit që mbart vlera të vërteta artistike dhe kulturore.
“I trishtuar nga lajmi për largimin e parakohshëm nga jeta i poetit të muzikës Agim Doçi!”, shkruan Basha.
“Një personalitet i apasionuar, një shpirt i pasur dhe një tekstshkrues këngësh brilante, Doçi ishte shembull i artit që mbart vlera të vërteta artistike dhe kulturore. Ngushëllimet e mia më të sinqerta! Mendimet dhe lutjet për familjen Doçi, të afërmit, miqtë dhe kolegët! Le të prehet në paqen e merituar!”, përfundon Basha.
Poeti i njohur Agim Doçi është ndarë sot nga jeta në moshën 76-vjeçare. Doçi ndodhej prej mëngjesit të së shtunës në reanimacion në Shërbimin e Neurologjisë në QSUT pasi pësoi hemorragji cerebrale.
Veliaj: ”Lajm fort i trishtë, do t’i mungojë artit dhe poezisë shqipe!”
Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka shprehur ngushëllimet e tij për ndarjen nga jeta të poetit dhe autorit të dhjetëra teksteve të këngëve shqiptare, Agim Doçi. Veliaj shkruan se Agimi do t’i mungojë artit dhe poezisë shqipe.
“Fort i trishtuar për ndarjen nga jeta të Agim Doçit, poetit dhe autorit të teksteve të dhjetra këngëve, fitues i shumë çmimeve në festivale.
Agimi do t’i mungojë artit dhe poezisë shqipe! Ngushëllime të përzemërta familjarëve dhe të afërmve.
U prehsh në paqe!”, shkruan Veliaj në rrjetet sociale.
/r.e/