Korrupsion dhe ekspertim i rremë, arrestohet oficeri i policisë

Tiranë, 24 qershor/ATSH/ Arrestohet efektivi i policisë, 49-vjeçari F.B. Ai akuzohet për dy vepra penale, “Shpërdorim detyre” dhe “Ekspertim i rremë”.
Sipas njoftimit të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Tiranë), pas hetimeve të kryera nën drejtimin e Prokurorisë së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, u ekzekutua masa e sigurimit personal “Arrest në burg” të vendosur nga Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, ndaj oficerit të policisë, K/Komisar F. B., 49 vjeç, me detyrë Specialist kriminalist në Sektorin e ekzaminimeve kompjuterike në Institutin e Policisë Shkencore, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Shpërdorim detyre” dhe “Ekspertim i rremë”.
Sipas njoftimit, “caktimi i masës së sigurimit është bërë i mundur pasi nga hetimet e zhvilluara janë siguruar prova dhe fakte që tregojnë se ky oficer policie, duke shfrytëzuar funksionin organik, ka fshehur, tjetërsuar dhe zëvendësuar pajisjet kompjuterike (USB), objekt ekspertimi kompjuterik, të cilat do të shërbenin si provë kryesore shkencore në dokumentimin me prova ligjore të veprimtarisë kriminale të një subjekti privat të proceduar penalisht për veprat penale “Mashtrim kompjuterik” nëpërmjet platformës Forex (call center)”.
/r.e/