E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndarje? Vetëm nëse pranon Prishtina e Beogradi

Beograd, 13 Tetor, 12.28, NOA - Ndarja e Kosovës mund të bëhet realitet vetëm nëse Prishtina dhe Beogradi vendosin të jenë dakord për këtë çështje. Këtë deklaratë të pazakontë e ka bërë, Stephen Woodsworth, ambasador britanik në Beograd.

“Nëse këto dy palë do të binin dakord për këtë, vështirë se dikush nga jashtë do të mund t’iu ndalojë këtë. Por nuk ka sinjale se kjo marrëveshje do të mund të realizohet“, tha ambasadori Woodsworth gjatë një interviste dhënë gazetës serbe “Blic”.

Ai mes tjerash shtoi se e vetmja gjë për të cilën kanë rënë dakord palët gjatë bisedimeve është se nuk ka ndarje të Kosovës. Këtë mundësi e ka përjashtuar edhe bashkësia ndërkombëtare dhe me të është pajtuar edhe Rusia.

“Çdo herë që shkoj në Preshevë dhe Bujanoc mua më pyesin nëse në rast të ndarjes së Kosovës, a do të mund të bëhen ata pjesë e saj. Kurse unë u them se kjo nuk do të ndodhë dhe se ata normalisht do të mbesin në Serbi. Andaj mendojmë se kjo çështje është destabilizuese dhe askujt nuk i ndihmon“, shtoi Woodsworth.

NOA

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›