Ndër vendet e "Ujit të Madh"
Një tis i bardhë, si i pambuktë, që bëhet herë më i trashë dhe herë më i tejdukshëm, është kontakti ynë i parë me atë që jemi nisur të gjejmë: ujin. Janë orët e para të mëngjesit dhe dielli i vjeshtës së tretë vetëm sa ka nisur të ngrohë si me ndrojtje fushat që shtrihen në të dy anët e rrugës Fushë-Krujë-Lezhë. Të përgjumur ende, nuk arrijmë ta kuptojmë mirë nëse është thjesht mjegulla e njohur e këtyre anëve, apo avulli që ka nisur të dalë prej fushave të qullura. Deri para dy ditësh, një shi i stërgjatur i fshikulloi mirë këto anë që nga Shkodra e deri poshtë më në Jug. Tani, me sa shohim nxitimthi në fillim e në udhëtim e sipër, fushat duken krejt të "teruna", sikurse do të thoshte ndonjë shkodran. Por sa më shumë i afrohemi shtratit të Matit, aq më shumë shtohen disa pllanga jo edhe aq të vogla. Vende-vende, ato marrin formën e pellgjeve. Nuk vezullojnë bardhësisht, sikurse duhej të ndodhte me çdo sipërfaqe të zakonshme uji. Kanë një ngjyrë që më shumë shkon nga bezha deri te çokollata. Toka dhe uji tashmë janë bërë një. Janë mbetjet më të fundit të përmbytjeve që dolën për ditë me radhë në çdo edicion lajmesh.
Mati na duket i qetë. Ndonëse ca i fryrë në madhështinë e tij - duket sikur e ndjen veten që është në ditët e tij më të mira - ai prapë se prapë nuk na krijon ndonjë ndjenjë frike apo rreziku. Ka hedhur në të dy anët e tij ato çka ka gjetur në rrugën e tij të gjatë: rrënjë të stërmëdha pemësh të shkulura, degë që marrin forma të çuditshme, këpucë, lloj-lloj shishesh plastike, copa bluzesh e fustanesh shumëngjyrëshe të kush e di se kujt… I gjithë ky dekor, i ndriçuar paqtë nga dielli që tashmë është ngritur goxha mbi kodrat e Pllanës, na e largon atë trishtimin që e zë çdo njeri kur niset e merr udhën për një zonë që është goditur nga ndonjë fatkeqësi natyrore. Përkundrazi, pamja është shumë e hareshme, me ujin që rrjedh ngadalë poshtë këmbëve të urës dhe me copat e leckave shumëngjyrëshe që i merr era.
Në Lezhë hasim një tjetër "fajtor". Është Drini plak, ajo pjesë e lumit të madh që këmbëngul të mos largohet nga shtrati i vjetër. Deri në 1846, kur një tërmet i rëndë ndryshoi plot gjëra në këto anë, Drini merrte një kthesë diku afër fshatit të sotëm Spatharë dhe pasi përshkonte Zadrimën mes për mes, derdhej në Adriatik, poshtë Shëngjinit të sotëm. Tërmeti e devijoi pjesën më të madhe të ujërave të Drinit. Ky tani derdhet në Bunë dhe të dy lumenjtë shkojnë bashkë në det. Në shtratin e vjetër, atë që kalon në Lezhë, mblidhen vetëm ujërat e Zadrimës dhe të përrenjve të saj. Edhe Drini i vjetër duket se është bërë më krenar, i ushqyer me gjithë atë shi që nuk rreshti thuajse për një javë të tërë, a më shumë. Por duket se edhe në këto anë, toka është "terun" dhe frika e parë ka kaluar.
"Kryeqyteti i shiut"
E pimë një kafe te "Harku i Bërdicës", atje ku rruga kthen për në Velipojë, dhe kështu kemi kohë të kujtojmë bashkë me kolegë shkodranë, historitë e lidhjes së fortë të këtyre anëve me shi. Është një lidhje shumë herë tragjike dhe e rëndë, porse si gjithnjë, shkodranët mundohen ta kalojnë me humorin e tyre të njohur. Sigurisht që kujtohet shumë herë ajo shprehja e famshme: "Shkodranë të terun e lezhjanë të krehun nuk ka". Shfletojmë në një libër fort interesant: "…Në Shkodër kemi zakonisht 140-160 ditë me reshje dhe 100 ditë me vranësira. Gjatë dimrit kemi 42 ditë me reshje nëntori e dhjetori 15-16 ditë me reshje. Të dhëna jo shkencore për reshjet e Shkodrës gjenden në mjaft kronika të vjetra për Shkodrën, në njërën prej të cilave thuhet: ‘Ndër 3 muajt e vjeshtës kje nji shi pa da (është fjala për vjeshtën e 1778)… Kiri duel shtratit sa i mloi edhe katundet nën Drisht… Edhe Shehri i Shkodrës u myt si një të tan aq sa n‘vende ma t‘nalta t‘Shehrit kcej uji pes pllam… ‘Me 7 nanduer 1844 u përmyt Pazari‘, ‘Me 15 prill 1845 bani mjaft ftoft‘. Nga ditari i Daut Boriçit nxjerrim shënimet: ‘Në vjetin 1845 për 16 javë rresht ra shi në Shkodër‘. Në dimrin e vitit 1877 Pazari i Shkodrës dhe një pjesë e Tophanës kanë qëndruar 3 muaj thuajse pa ndërprerje nën ujë. Sipas kronistëve të kohës uji ka qenë në nivelet maksimale sa ka arritur afër qendrës së Parrucës… Duke ndjekur tabelat e reshjeve për shumë vite me radhë rezulton se në Shkodër bien mesatarisht 1834 milimetra, ndërsa në Shtoj, ku është stacioni kryesor, bien mesatarisht 2147 milimetra në vit (mesatarja 1950-1970), që me përjashtim të Gjirokastrës (1953.8 milimetra) dhe Pukës (2104.7 milimetra) bien më shumë se në cilindo qytet tjetër të Shqipërisë… Në Shkodër bie 3 herë e gjysëm shi më shumë se në Stamboll, nga ku e ka origjinën ajo pyetja që thonë se i ka bërë një stambolli që kishte rënë në Shkodër, një shkodrani kur u takuan në Stamboll: ‘A ka pushu shiu në Shkodër?‘… Ashpërsia e dimrit të viteve 1962-1963 u pa që në fillim të nëntorit kur patëm 28 ditë me reshje të vazhdueshme dhe, në dhjetor 21 ditë. Në fund të dhjetorit u shënua kohëzgjatja më e madhe e reshjeve, prej 150 orë pa ndërprerje… Në përfundim dimri i viteve 1962-1963 ka filluar me ashpërsi nga fillimi i nëntorit, me temperatura rreth zeros e nën zero deri nga mesi i marsit, pra gati pesë muaj. Ka patur shumë reshje shiu e më vonë dëbore dhe shumë përmbytje, të ngjashme me përmbytjet e dimrit 1877 që pleqtë ende i thonë ‘Uji i Madh‘…". (Agim Parruca, Shkodra, bastion i qytetërimit shqiptar, Tiranë 2003).
Me gjithë këtë shi që ka "hyrë" në blloqet e në teshat tona, i gëzohemi diellit që tashmë është ngritur fare lart. Në Trush, një nga fshatrat rrugës për në Velipojë, i hedhim edhe një herë sytë nga Taraboshi dhe nga kalaja e lashtë e Rozafës. Ajri është larë fare mirë nga shiu i pareshtur, kështu që dy simbolet e palëvizshme të Shkodrës, na duken sikur janë edhe më të afërt. Mes të dyve ecën e qetë Buna, një tjetër lumë që hera-herës shndërrohet në problematik.
Liqeni që pret të thahet
Velipoja është një zonë që është populluar pak nga pak nga banorët e ardhur nga malësitë. Dimri ndër male është i ashpër, ndërsa vera shumë e mbarë për bagëtitë. Kështu që deri para disa dekadash, shumë malësorë kanë shkuar një jetë gjysmënomade. Në verë ngjiteshin në bjeshkët e tyre të larta të mbuluara nga gjelbërimi. Në dimër i ruheshin tufaneve në ultësirën e Velipojës së sotme. Pak nga pak, me shtimin e numrit të banorëve, familjet u ndanë. Një pjesë u vendos përfundimisht në fushë dhe më pak, vazhduan të jetojnë në fshatrat e larta mes shkrepave. Dikur gjysmëkënetë, fusha u bonifikua dhe u shndërrua në një tokë shumë pjellore. Malësorët e mbetur ndër male edhe sot e kanë ruajtur traditën e shtegtimit të bagëtive. Stanet e tyre i kemi hasur dikur pikërisht para se të futemi në Malikolaj, fshati i parë i Velipojës.
Me idenë e staneve në mendje gati-gati çuditemi teksa shohim të shfaqet para nesh një liqen të madh, skajet e të cilit mbyllen veçse nga kodrat shkëmbore, atje ku uji i shirave të fundit nuk ka mundur të ngjitet. Disa kuaj sillen të frikësuar në një rrip të ngushtë të rrethuar nga çdo anë nga uji. Këtu gjithçka është e braktisur. Kasollet e çobanëve janë zhytur në ujë, gardhet e grigjave tashmë duken një gjë fare e kotë. Bagëtitë janë larguar nga barinjtë që me kohë. Tani mbreti i vërtetë është ai, "Uji i Madh". Vetëm disa rosa lodrojnë hareshëm mbi sipërfaqen e trishtë, rreth disa shtyllave që duken si pa kuptim me këmbët e zhytura tërësisht nën ujë.
Se çfarë sasie kolosale uji ka mbërritur nga qielli këto ditë e kuptojmë fare mirë kur jemi mbi urën që vendasit e quajnë "Ura e Dedë Gjo Lulit". Poshtë këmbëve tona rrjedh për në det një lumë i vërtetë, i rrëmbyer. E megjithatë niveli i liqenit të porsakrijuar duket po ai. Një djalë i ri kalon mbi një tub për t‘u hedhur në bregun matanë. Disa metra larg tij, një burrë se çfarë kërkon i hipur mbi një lundër të vjetër. Në fakt, fjala "lundër" këtu është përdorur, për të treguar një trung të gërryer nga brenda. Mbase burri është kujtuar të gjejë kufijtë e tokave të tij. Me siguri do t‘i duhet të presë edhe disa ditë të mira, deri sa liqeni të "teret" krejtësisht.
Në hyrje të qendrës së komunës na del para syve një tjetër pamje: fusha të tëra të përmbytura. Liqeni, që porsa kemi lënë pas, kishte përmbytur vetëm kullota dhe ato e marrin veten shpejt, porse këtu kemi të bëjmë me ara të vërteta, nga ato mbi të cilat është derdhur mund, djersë, para. Pemët, që lartësohen mu në mes të ujit, se ç‘të lenë një shije të pashpjegueshme. E gjithë kjo situatë neve, që vijmë nga zonat e thata, sigurisht që nuk na duket normale. Në qendër të Velipojës nuk e kemi më përballë atë panoramën e qullur që sapo kemi lënë pas, porse duket se edhe këtu shiu nuk ka lënë përshtypje të mirë. Shumë fshatarë kanë përveshur mëngët dhe i kanë hyrë punës për të pastruar kanalet kulluese poshtë shtëpive të tyre. Liqenet, me sa duket, nuk janë krijuar vetëm poshtë në fushë.
Sa vështirë të bëhesh fushë!
Torovica është një tjetër emër që u përmend shpesh në kronikat e lajmeve mbi përmbytjet. Për të shkuar atje duhet të marrësh rrugën e vjetër që lidhte dikur Shkodrën me pjesën tjetër të vendit. E kalojmë shpejt harenë e Bushatit, fshat i madh dhe me emër. Sapo ka mbaruar mësimi dhe rrugët në qendër të tij janë të stërmbushura me nxënës. Këtu, thuajse e kemi harruar atë pamjen e trishtë të Velipojës me kasollet e zhytura në ujë dhe me kuajt e trembur që hingëllijnë nga që nuk dinë se si t‘i shpëtojnë ujit. Këtu çdo gjë është ndryshe, me ngjyra dhe e gëzueshme, njësoj si një vend normal që i gëzohet shkëlqimit të diellit. Por, vetëm pak kilometra më në Jug, në anët që vendasit i quajnë "Rranzat e Bushatit", ato pllangat vezulluese ngjyrë kafe shfaqen sërish. Shenjë që edhe këndej ka kaluar furia e "Ujit të Madh". Një avull që ngrihet nga arat e fshatarëve na bën me dije se uji, njësoj si dëmet, ende nuk është larguar tërësisht.
Mbi rrugën e vjetër të Torovicës tani kalon pak kush. Ka shumë raste që mbi xhadenë e mbushur me gropa - pasojë e shiut edhe këto - jemi vetëm ne dhe… shegët e egra. Ato janë thuajse kudo, të mbërthyera fort mbi atë pak tokë që del mes gurëve të malit të Kakarriqit. Frutat e tyre tani i ngjajnë disa bombave të porsashpërthyera. Jo më kot emri "granatë" vjen pikërisht prej tyre (nga gjermanishtja: Grenadeapfel - shegë). Kanë një shije të këndshme, por fort të athët. Kaq është e ëmbla që natyra mund të nxjerrë prej këtyre anëve.
Poshtë, në fushë, në kënetën e dikurshme, uji ka nisur të mbretërojë sërish. Mundohemi t‘i afrohemi sa më shumë Malit të Rrencit, atij pas të cilit ndodhet Shëngjini dhe porti, por hera-herës e kemi të pamundur. Uji ka mbuluar sipërfaqe të tëra toke. Disa mullarë me kashtë misri duken si njerëz të marrë peng në mes të një humbëtire të pafund, mbushur me ujë. Ca më tej, uji porsa u ka "dhënë leje" disa shalqinjve që të shfaqen sërish në botën reale. Gjysmë në ujë e gjysmë në diell ata na duken si një armatë helmetash që porsa kanë mbaruar një betejë. Në shtëpitë që ndodhen në anë të kodrave shkëmbore njerëzia duket se ka shpëtuar. Por kudo shohim gra e vajza të reja që mbajnë në dorë, kova, lecka, fshesa, armët e luftës kundër "Ujit të Madh". Në një oborr të porsaçliruar prej ujit disa derrkucë bojërozë, fare të vegjël lozin duke ngacmuar disa pula. Një lopë, "me përvojë" për kësi punësh, kthen kokën me përtesë njësoj sikur të dojë t‘ju thotë: Mos u gëzoni kaq shumë o derra, do t‘ju mbyllin sërish majë ndonjë shkëmbi, nëse e keni jetën aq të gjatë sa të mbërrini deri në pranverën e ardhshme!
Shfrytëzojmë një rrugë të asfaltuar që na shpie drejt thellësisë së fushës. Shumë shpejt hasim një fshat të mbajtur mirë, por të lagur deri në palcë, shumë të lagur. Balta ende nuk është davaritur nga rruga që të shpie drejt shkollës dhe kishës. "S‘keni ku me shku ma përtej. Asht nji baltë që nuk jua pret mendja", një djalë i ri merakoset teksa na shikon se po i futemi një rruge pa krye. "Sot keni ardhë mirë, po uji ka shku deri te oborri i asaj shpisë atje", bën me shenjë ai duke treguar një shtëpi të gurtë që është goxha lart mbi xhadenë në të cilën ndodhemi. Nuk kemi se ç‘të bëjmë. Kthehemi edhe një herë përmes kënetës që tentoi të bëhej fushë. Afër Balldrenit bëjmë një mik. Është Gëzimi, që po kthehet nga mali ku ka bërë dru. Gëzimi nuk e ka frikë ujin, madje nuk i pëlqen të flasë fare për të. "Eh - bën me kokë djali 16-vjeçar njësoj si një plak i moçëm - shiu atë punë ka e na kena punën tonë. Kshtu ka kenë jetë e mot".