E Martë, 3 Nëntor 2026

Ndërhyrja në blloqet e banimit, Veliaj: Po rrisim vlerën e pronës së qytetarëve

Bashkia e Tiranës ka nisur rehabilitimin e bllokut të banimit në Laprakë. ky  investim do të lehtësojë qarkullimin e mjeteve nga Spitali i Traumës. Kryebashkiaku Erion Veliaj tha se projekti parashikon edhe rikuperimin e trotuareve dhe të shesheve të zaptuara në këto 30 vite.

“Ndër vite ishin toleruar disa gjëra që nuk duhej të toleroheshin: zaptimi i shesheve të pallateve, zaptimi i xhepave të vegjël e lulishteve, zaptimi i këndeve të lodrave. Me skemën e re, me stolat, me lulet, me këndet e lodrave, me xhepat mes pallateve, i kthehet jeta komunitetit”,  tha Veliaj.

Veliaj shtoi se përmirësimi i infrastrukturës publike dhe rehabilitimi i fasadave të pallateve po rrit vlerën e pronës së qytetarëve.

 “Në momentin kur cilësia e rrugës, ndriçimi led, infrastruktura e futur nën tokë përkon edhe me pallatet që janë estetikisht të pranueshme, unë besoj se rritet vlera e gjithë komunitetit. Njerëzit këtu vijnë nga të gjitha cepat e Shqipërisë dhe kanë mësuar bashkëjetesën, që pavarësisht nga vijnë, pavarësisht si i kemi kushtet, do të duhet të bashkëjetojmë dhe të punojmë për të mirën e komunitetit”,  tha kryebashkiaku.

Punimet parashikojnë shtrimin e të gjitha rrugicave, si dhe rrjetin e kanalizimeve, të ujësjellësit. /vizionplus.tv

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›