E Martë, 3 Nëntor 2026

Ndërhyrje emergjente në Pasarelën e Beçishtit në Tepelenë, Monument Kulture i Kategorisë I

TIRANË, 7 gusht /ATSH/ Pas konstatimit të dëmtimeve të rënda në Pasarelën e Beçishtit, shkaktuar nga kalimi i një automjeti të paidentifikuar, Shërbimet Publike të bashkisë Tepelenë kanë ndërhyrë menjëherë për të kryer riparimet e nevojshme dhe për të garantuar sigurinë e kalimtarëve.

“Ky veprim i papërgjegjshëm dhe i paligjshëm, jo vetëm ka vënë në rrezik jetën e qytetarëve, por ka shkaktuar dëmtime serioze në trupin e urës, një vepër me status monument kulture i kategorisë së parë, në shërbim të përditshëm të komunitetit të zonës”, theksoi bashkia Tepelenë, në një postim në rrjetet sociale.

Bashkia Tepelenë dënon me forcë çdo akt të tillë dhe u bën thirrje qytetarëve që në rast konstatimi të veprimeve të ngjashme, të njoftojnë menjëherë organet ligjzbatuese, në mënyrë që autorët të vihen përpara përgjegjësisë ligjore.

Sipas bashkisë, dëmtimi i veprave me status të veçantë mbrojtjeje përbën shkelje të rëndë të ligjit dhe nuk do të tolerohet.

Bashkia Tepelenë mbetet e angazhuar në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe sigurinë e infrastrukturës publike.

1 nga 5

/k.s/r.e/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›