E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndërkombëtarët: Rama dhe Berisha të ulen në një tryezë

TIRANË- Konsensusi i munguar mes mazhorancës dhe opozitës përsa i përket gjetjes së një zgjidhje për krizën politike, mund t'i sjellë Shqipërisë një faturë shumë të rëndë, qoftë në aspektin e brendshëm ashtu edhe në atë ndërkombëtar, ku rrezikohet seriozisht e ardhmja europiane e vendit. Janë sërish ndërkombëtarët ata që evidentojnë edhe më me forcë krizën e rëndë në të cilën është përfshirë klasa politike e shqiptare, ndërsa bëjnë apel për një konsensus mes palëve, i cili sipas tyre duhet të vijë nëpërmjet një tryeze bisedimi. Pas ambasadorit Amerikan Xhon Uidhers, edhe homologët e tij ambasadori i OSBE-së Robert Bosch dhe ai hollandez Van den Dool, të cilët gjatë një takimi në bashkinë e Kamzës, kanë konstatuar se klasa politike shqiptare po tregohet e paaftë për të zgjidhur në favor të shqiptarëve krizën të cilën e ka krijuar vet. Ambasadori Bosch vë theksin pikërisht tek mungesa e një reagimi pozitiv nga partitë politike të cilat pavarësisht presionit dhe thirrjeve të ndërkombëtarëve, nuk kanë zbutur aspak qëndrimet e tyre, por përkundrazi kanë ashpërsuar edhe më tej gjuhën e përdorur. "Është shumë e rëndësishme të ruhet pavarësia e institucioneve, e që të mos ketë asnjë lloj presioni nga qeveria mbi institucionet e pavarura kushtetuese dhe që ligji të bëjë punën e vetë pa asnjë lloj ndërhyrjeje. Javën e kaluar u kemi kërkuar të dyja palave ta moderojnë pak gjuhën, që të afrohen pak te njëri-tjetri, të bëjnë hapin e parë drejt njëri-tjetrit. Por deri tani këto këshilla shohim se nuk janë marrë parasysh", - tha dje ambasadori Bosch. Akoma më i drejtpërdrejtë dhe më i ashpër ka qenë ambasadori hollandez në Tiranë Van den Dool, i cili ka deklaruar se situata në Shqipëri është mjaft e rëndë dhe se kështu vendi ynë rrezikon të mos i hapet drita jeshile për ecurinë e mëtejshme të proceseve integruese. "Ne situatën aktuale në Shqipëri e shohim si shumë problematike. Një demokraci që nuk funksionon nuk është një biletë për në Bashkimin Europian", - tha ambasadori hollandez duke paralajmëruar një qëndrim jo pozitivë nga ana e BE-së për marrëdhëniet e mëtejshme në kuadër të procesit të integrimit. Gjithashtu ai ka paralajmëruar politikanët shqiptarë se Shqipërisë po i skadon koha brenda së cilës duhet ti japë zgjidhje problemit të krizës politike. Por ndryshe nga disa diplomatë të tjerë Van den Dool nuk sheh vetëm Kuvendin si mundësi për realizimin e dialogut, por edhe një tryezë jashtë tij. "Si një vend i pjekur, anëtar i NATO-s dhe aspirant për në BE, ne presim që Shqipëria ta zgjidhë vetë këtë ngërc, por mesa po shohim koha po mbaron. Të dy kundërshtarët kryesorë duhet të ulen në tavolinë, të flasin me njëri-tjetrin dhe të jeni të sigurt që ne nuk kemi për të bërë asnjë lloj sugjerimi. Ne presim që ata të dalin së shpejti me një zgjidhje që ta kthejnë edhe njëherë këtë demokraci në një demokraci funksionale", - theksoi diplomati hollandez.



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›